E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Ne jemi alternativa e premtimeve të mbajtura

Partia Demokratike ka prezantuar sot kandidatin e saj për bashkinë e Durrësit Ferdinand Xhaferri. Në fjalën e tij kryeministri Berisha theksoi se alternativa e koalicionit “aleanca për qytetarin” është ajo e premtimeve të mbajtura.
 

“Qëllimi ynë më madhor është që qytetarët të votojnë të lirë. Në këtë fushatë ne kemi një qëllim atë të hartimit të një programi i cili do të jetë më i shkëlqyeri, programin e vlerave dhe zhvillimit” theksoi Berisha.
Kryeministri Berisha gjithashtu premtoi se gjatë këtyre 4 viteve Durrësi do të ketë infrastrukturën e një qyteti modern.
 

“Kemi investuar nga 10 milionë dollarë, në ujësjellësa dhe kanalizime. Kemi ndërtuar dhe rindërtuar në rrethin e Durrësit 300 km rrugë, 52 shkolla, 15 ujësjellësa dhe kanalizime” theksoi Berisha duke ripërsëritur edhe njëherë se programi i koalicionit të djathtë është i bazuar tek qytetarët.
 

“Ne do ta bazojmë fushatën tërësisht tek ju. Ju jeni të parët sepse morali juaj është ai që do ta çojë Shqipërinë drejt Europës së qytetëruar.Ju jeni të parët pasi vetëm me ju do të hartojmë së bashku qindra projekte” theksoi më tej Berisha.

Gjithashtu shefi i qeverisë premtoi se punësimi dhe shërbimet ndaj qytetarëve do të jenë përparësitë më të mëdha për 4 vitet e ardhshme.

Ndërkohë përballë kandidatit demokrat Ferdinand Xhaferri nga kampi kundërshtar garon për një mandat tjetër socialisti Vangjush Dako

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›