E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Në qershorin që vjen përsërisim fitoren e 22 marsit të vitit '92

TIRANË- Pas shumë kohësh, Kryeministri Sali Berisha mblodhi sot krerët lokalë të PD-së në rrethe dhe të gjithë grupin parlamentar, për përgatitjet e festimeve me rastin e 20-vjetorit të fitores së PD-së në zgjedhjet e 22 marsit të 1992-it.

Berisha para demokratëve, duke e shpallur 2 marsin ditë feste, e cila do të kulmojë në orën 12:00, ndërkohë që festimet do vijojnë gjatë gjithë ditës, shprehu gëzimin e tij se edhe pas 20 vjetësh shqiptarët i besuar sërish Partisë që ai drejton.

“Ky takim nuk mund të kishte temë më të rëndësishme se 22 marsi, 20 vjetori i përmbysjes në Shqipëri me votën e lirë të qytetarëve të regjimit më barbar që kombi shqiptar njohu në tërë historinë e tij. Shqiptarët 20 vjet më parë i besuan Partisë Demokratike ato ishin faktor i besimit unikal dhe vendosën besimin e tyre tek forca politike dhe progami i saj dhe këtë besim ja përsëriti forcës politike. Fakti që ky 20 vjetor e gjen në pushtet Partinë Demokratike përbën jo vetëm nderim më të madh, por edhe detyrimin dhe përgjegjësinë më të lartë. Në këtë kontekst data 22 mars është ditë pushimi, por ne do ta shndërrojmë në ditën e festës më të bukur për shqiparët”,- deklaroi Berisha.

Kryeministri Berisha shprehu se ky 20 vjetor për demokratët merr një rëndësi të vecantë për shkak se përkon edhe me 100 vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë.
“Ky 20 vjetor është i një rëndësie të vecantë sepse e festojmë në kuadrin e 100 vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë dhe asgjë nga koha e Pavarësisë gjeri më sot në jetën e shqiptarëve nuk ka ndikuar më shumë se sa përmbysja e diktaturës komuniste”,- u shpreh Berisha.

Kryeministri bëri thirrje që Partisë Demokratike ti bashkohen energji të reja, duke njoftuar edhe nisjen e një vale të re anëtarësimesh, e cila do të përfundojnë një muaj para zgjedhjeve të qershorit 2013.
“22 marsi është festë e të gjithë shqiptarëve, është një datë që shqiptarët i besuan kësaj force politike më shumë se cdo force tjetër në Europën Komuniste ndaj dhe ne 2 marsin do e caktojmë si ditën në të cilën do të nisë një seri e re anëtarësimesh në Partinë Demokratike. E cila do të vijojë në mënyrë të pandërprerë gjer një muaj para zgjedhjeve të qershorit 2013”,- bëri thirrje Berisha.

Më 22 mars të 92-it mori pushtetin duke i dhënë goditjen e fundit përmes votës regjimit komunist në Shqipëri të ish-presidentit Ramiz Alia.
(el.me/BalkaNWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›