E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nënë Tereza dhurata më e cmuar për njerëzimin

TIRANë- "Nënë Tereza është dhurata më e çmuar që kombi shqiptar i ka bërë njerëzimit në të gjitha kohërat", tha sonte në mbrëmje Kryeministri Sali Berisha në pritjen organizuar në Pallatin e Brigadave në 100-vjetorin e saj të lindjes. Sipas tij "me përkushtimin dhe forcën e madhe të dashurisë, Nënë Tereza u shndërrua në autoritetin moral më të fuqishëm të shekullit që jetoi".

Duke kujtuar se asgjë nuk do të lëkundte dashurinë për dheun e saj edhe në kohërat kur ajo nuk lejohej të vizitonte, të çmallej me nënën, motrën dhe vendin e vet, Berisha tha se "do të ishte Kalkuta, vendi ku do të lartësohej në Nënë Terezën, personalitetin moral më të fuqishëm të kohës së vetë. Kalkuta themeloi edhe Urdhrin e Misionarëve të Bamirësisë, apo më drejtë të Misionarëve të Dashurisë dhe Dhimbshurisë njerëzore".

Berisha u shpreh se,"Sot në këtë fjalë do të doja ti paraqisja Nënë Terezës ndjesën publike për qëndrimin që diktatura hoxhiste mbajti ndaj saj dhe familjes, por unë nuk e bëj këtë për arsyen e vetme sepse në një nga takimet e mia në vitin 1992 kur unë desha të marr miratimin e saj për këtë akt publik, ajo mu përgjigj: Jo nuk do ta bësh këtë. Ndjesa publike do të ishte për mua një lëndim i vërtetë, pasi unë kurrë nuk jam zemëruar dhe nuk mund të zemërohem asnjëherë me vendin dhe kombin tim. Unë çdo ditë me dashuri të madhe i jam lutur Zotit dhe lutem për ta njëlloj siç jam lutur dhe lutem për nënën, motrën dhe familjen time", tha Kryeministri.

Ai kujtoi se ajo ndjehej shumë e lumtur që më së fundi vendi i saj ishte i lirë dhe kishte hapur Shtëpitë e Misionit të saj në Shqipëri, që mbante më së fundi pasaportën shqiptare. Kryeministri Berisha kujtoi se "emocionet, gëzimi dhe kënaqësia e saj ishin të jashtëzakonshme, të papërshkruara, ditën që priti së bashku me Presidentin e vendit, në 25 prill të vitit '93 në dheun e vet, Papën Gjon Pali II në vizitën e tij historike në Shqipëri. Ajo u lumtura shumë kur Ati i Shenjtë do t'i drejtohej me fjalën e tij nga ballkoni i Ipeshkvisë së Shkodrës si "Nënë Tereza, bija e kombit shqiptar".
(m.a/BalkanWeb)

Më shumë nga Teknologjia

Të gjitha ›