Berisha: “Neni Basha” nuk ka pse të preket, zgjedhjet ishin farsë elektorale

TIRANË, 17 mars /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, pohoi sot se do të kandidojë në garën për kryetarin e PD-së, zgjedhje të cilat do të zhvillohen më 23 maj.
Gjatë një konference për mediet nga selia blu, Berisha u pyet nëse rikandidimi i tij bie ndesh me nenin 46 pika 8 të statutit të PD-së, i cili thotë se në rast se pas shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve, partia nuk rezulton forcë fituese qeverisëse, mandati përfundon menjëherë dhe automatikisht për shkak të statutit.
Berisha tha se neni, i quajtur nga ai si “neni Basha”, flet për zgjedhje, jo për farsë elektorale.
“Në qoftë se ka një realitet absolut të padiskutueshëm është, zgjedhjet ishin farsë elektorale. Pra sa herë zgjedhjet humben kur ato janë normale, është detyrë e atij që udhëheq, të largohet, të japë dorëheqjen. Farsa elektorale është tjetër, e ka për detyrë të luftojë diktaturën. Ne e bëmë luftën tonë dhe po e bëjmë. Farsë elektorale ishte dhe 2021. I qëndroj 100%, vota vdiq pa hyrë në kuti”, tha ai.
Duke iu referuar ish-kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha, Berisha tha se “ai e kishte mendjen te koalicioni i madh me Edi Ramën, nuk kishte mendjen të mbronte votën e qytetarëve shqiptarë. Ia thashë atij të nesërmen, kjo është farsë ne duhet të mbrojmë votën e shqiptarëve”.
Kreu i PD-së u pyet gjithashtu nëse do të ndryshohet ky neni 46 pika 8 i statutit të PD-së. Berisha tha se “ai nen nuk ka pse të pësojë asnjë ndryshim”.
“Ai bën fjalë për zgjedhje. Dhe unë edhe njëherë mund t’u them, në radhë të parë ndryshimet e statutit janë një proces normal para çdo Kuvendi. Në çdo Kuvend ka propozime të ndryshme dhe je i detyruar t’i shqyrtosh ato. Njëra anë. Ana tjetër, ai nen nuk ka pse të ndryshojë se ai thotë zgjedhje dhe zgjedhjet kanë një gjë, nuk janë vetëm një… vlerësimi i tyre nuk është vetëm kombëtar, vlerësimi i tyre është edhe ndërkombëtar. Ky nen, mendoj unë, nuk duhet të preket”, tha Berisha.
Berisha shprehu besimin gjithashtu se grupi i punës nuk do të sugjerojë asnjë ndryshim të nenit.
“Aty janë bërë propozime të tjera, kurse ky nen është shumë normal. Humbja e zgjedhjeve në kushtet e zgjedhjeve që respektojnë standardet ndërkombëtare, absolutisht ai që drejton duhet të largohet”, tha Berisha. /j.p/