E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nesër të rinjtë kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari

TIRANË, 16 tetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, u bëri thirrje  sot qytetarëve, prindërve, të rinjve dhe diasporës që të solidarizohen nesër në Tiranë me studentët, duke theksuar se “ata në këtë betejë epike po mbrojnë më shumë se çdo gjë tjetër të ardhmen e tyre në këtë vend”.

Në një deklaratë për mediet, Berisha tha se “nesër gjimnazistët dhe studentët e Tiranës kanë më shumë se kurrë nevojë për mbështetjen e çdo shqiptari në betejën e tyre epike”.

“Që nga data 13 deri më sot, në rrugët dhe sheshet e Tiranës, narkobanditë me uniformë janë sjellë në mënyrën më shtazore me akte barbare ndaj studentëve dhe gjimnazistëve të Tiranës. I kanë keqtrajtuar, torturuar, ndaluar dhe arrestuar me qindra e qindra prej tyre”, theksoi Berisha.

Kreu i PD-së theksoi se “kanë mbushur komisariatet me të mitur, me vajza, me qytetarë dhe të moshave më të shtyra. Tirana nuk ka njohur një barbari të tillë ndaj të rinjve shqiptarë as në vitet ’90”.

Berisha u bëri thirrje demokratëve, qytetarëve, prindërve dhe bizneseve që t’u bashkohen studentëve në protestën e paralajmëruar për nesër në kryeqytet.

“Nesër, mijëra e mijëra burra, gra, djem dhe vajza, nga mbarë Evropa vërshojnë drejt Tiranës. Ftoj çdo demokrate e demokrat, çdo qytetare e qytetar, çdo prind, nënë, baba, ftoj të gjitha bizneset e vendit të solidarizohemi nesër në Tiranë me studentët”, tha ai.

“Solidariteti dhe mbështetja jonë për studentët është e një rëndësie të jashtëzakonshme. Ora e historisë fton nesër çdo shqiptar në Tiranë”, tha Berisha.

/k.s/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›