Berisha: Nga sivjet paga e 13-të

Kur kanë mbetur edhe 17 ditë nga zgjedhjet, Sali Berisha ka zgjedhur Gramshin, në qarkun e Elbasanit për të bërë një nga premtimet më të rëndësishme të fushatës elektorale. Premtimi lidhet direkt me të gjithë ata që marrin një rrogë në shtet dhe me pensionistët. "Ne do të rrisim rrogat dhe pensionet dy herë më shumë se çmimet, sikundër jam sot këtu për t'u premtuar të gjithë punonjësve të administrates shqiptare, se pavarësisht nga rritja e përvitshme, do të nisë nga fundi i këtij viti rroga e 13-të për ta nga Partia Demokratike", tha Berisha, transmeton tch.
Me këtë premtim Berisha i del përballë llogaritjes së Partisë Socialiste, e cila thotë se nga taksa progresive, qytetarët gjatë një viti do të kursejnë pothuajse një rrogë mujore. Sali Berisha replikoi me Edi Ramën, sipas të cilit me taksën e sheshtë ata që marrin paga më të ulëta, paguajnë më shumë se kryeministri. "E turpshme kjo që thua. Kryeministri paguan taksa aq herë më shumë sa herë më të madhe e ka rrogën se çdo qytetar tjetër. Se taksa e të dhjetave është taksa më e ndershme, ai që merr 10 paguan vetëm 1 ai që merr 100 paguan 10; ai që merr 1000 paguan 100, pra 100 herë më shumë sesa ai që merr 10. Sali Berisha i ktheu përgjigje Edi Ramës edhe për kaskadën e Devollit, që ka nisur të ndërtohet në zonën e Gramshit nga gjiganti norvegjez 'Statkraft'. "Bëhet qesharak ai që e quan përrallë vendimin për të ndërtuar hidrocentralin e Devollit, për të investuar një miliard euro në rrethin tuaj, për të punësuar mijëra e mijëra qytetarë nga Gramshi", tha Berisha./Indeksonline/