E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha-Nishani, Watergate në Tiranë

Share

Dy deklarime të jashtëzakonshme të kryeministrit dhe ministrit të brendshëm, hedhin padashur dritë mbi një rrjet të paligjshëm përgjimi. Që përfshin median dhe kryetarin e opozitës. Politika akuzon, janë përgjuar dhe Presidenti, Prokurori i Përgjithshëm dhe Shefi i SHISH. Dyshimi se është përgjuar dhe një diplomat i rëndësishëm në Tiranë në një bisedë të tij me një zyrtar të lartë shqiptar. Mjetet e paligjshme kanë ardhur nga Malajzia. Detyrimi ligjor i prokurorisë për të mos heshtur për Watergate-n shqiptar

Nga Lorenc Vangjeli

Normalisht, në një vend normal, çdo qeveri nuk do të kishte mbetur dot në këmbë. Në Shqipëri, një skandal i tillë, është lënë menjëherë në harresë dhe është mbuluar nga dëbora e këtij fillimviti dhe indiferenca. Dhe me të gjitha gjasat, do të vazhdojë të qëndrojë në heshtje duke iu bashkangjitur dhe një skandal i ri: heshtjen e prokurorisë për të nisur kryesisht, direkt një hetim penal për përgjegjësit, shkaktarët dhe autorët e këtij skandali. Ka shumë pak shanse, për të mos thënë që ekzistojnë zero shanse që prokuroria të hetojë këtë çështje dhe të çojë një dosje në gjykatë. Një vend i mësuar me të keqen, e ka të pamundur ta luftojë këtë të keqe me mjete juridike, sa kohë, vetë e keqja, shkaktohet me vullnet politik dhe nga aktorë politikë. Në fillim ministri i brendshëm në një emision televiziv, më pas, edhe vetë kryeministri në mbledhjen e komitetit ndërministror të emergjencave, jo thjesht pranuan, por së paku  konfirmuan ekzistencën e përgjimeve të paligjshme telefonike. Janë përgjuar shtetas të ndryshëm, por me të gjitha gjasat, janë përgjuar edhe media të rëndësishme në vend. Për situatën e krijuar nga bora ka pasur dhe janë verifikuar telefonata false nga kafenetë e Tiranës, tha ministri i brendshëm Bujar Nishani duke iu përgjigjur Ilir Babaramos në News 24. Shumë më larg shkon, sipas zakonit, vetë kryeministri. Ai saktëson edhe individin që ka shpërdoruar thirrjet telefonike. Ai është Edi Rama, kryetar i partisë socialiste. …ky zotëri ka organizuar një rrjet dezinformimi të pashembullt me telefonata, njofton se këtu u shembën dhjetë shtëpi, se në katër shtëpi janë zënë brenda gjithë të tjerët….  Këto konfirmime janë dy elementë dramatikë për të dëshmuar se çfarë po ndodh përtej perdes në Shqipëri. Shërbejnë për të provuar atë që shumëkush e flet në Tiranë, por pakkush kujtohet ta konsiderojë si absolutisht skandalin më të madh që ka ndodhur në këto dy dekada pluralizëm: qeveria përgjon në mënyrë të paligjshme kundërshtarët e saj. Sipas asaj që thotë kryeministri dhe ministri i brendshëm, janë përgjuar kryetari i opozitës, media dhe qytetarë të veçantë. Sipas asaj që është artikuluar në mënyrë publike, në rrjetën e përgjimeve është përfshirë edhe Presidenti i Republikës, Prokurori i Përgjithshëm, shefi i SHISH, deputetë të opozitës dhe personazhe të tjerë publikë në vend. Dhe së fundi, me një konfirmim jo zyrtar që vjen nga një rrjedhje informacioni nga vetë ministria e brendshme, është përgjuar dhe një diplomat i rëndësishëm i akredituar në Tiranë në bisedë me një nga politikanët më të rëndësishëm të maxhorancës. Një akt i kryer në qendër të Tiranës nëpërmjet përgjimit ambiental. Në një aksion që u dekonspirua nga rrethana tërësisht banale prej vetë autorëve të përgjimit. Ministri i Brendshëm Zoti Nishani konfirmon publikisht se janë …verifikuar telefonata fallso nga kafenetë e Tiranës…. Ministri i brendshëm në këtë mënyrë i referohet një numri telefonatash që janë bërë në qendrën e emergjencës për shkak të situatës së rënduar të motit në Shqipëri. Edhe pse nuk e përmend, i referohet edhe telefonatave – më saktë, kryesisht këto lloj telefonatash ka parasysh – që janë kryer në numrat e afishuar nga një numër mediash vizive dhe të shkuara, ndaj të cilave ka pasur thirrje hyrëse nga qytetarë që pretendonin vështirësi dhe kërkonin ndihmë për shkak të situatës. Çfarë do të thotë janë verifikuar këto telefonata dhe që rezultati i verifikimit të tyre është se ato janë kryer nga kafenetë e Tiranës? Do të thotë se janë verifikuar numrat e telefonave që kanë bërë thirrje hyrëse në këto numra të mediave. Dhe nëse i besohet ministrit, do të thotë, që sipas analizimit të sistemit të antenave të kompanive celulare, ka dalë që ato janë kryer nga antenat e zonës së Tiranës dhe jo nga Veriu i vendit. Deri këtu, ngjan një skenar i cili ka dy pjesë: e para, qytetarë të papër­gjegjshëm tallen me situatën duke krijuar kosto tërësisht të panevojshme shtesë për operacionet e ndihmave, e dyta, struktura të caktuara politike kërkojnë të rëndojnë artificialisht gjendjen përballë perceptimit publik për paaftësinë e qeverisë për të reaguar në këtë situatë. Ky skenar ekziston vetëm nëse i besohet ministrit në deklarimin e tij, por kjo mbetet për tu verifikuar. Skenari tjetër, tërësisht i vërtetuar nga deklarimet e ministrit dhe vetë kryeministrit, është tmerrësisht më i zymtë. Si është bërë ky verifikim? Mbi çfarë baze ligjore? Kush e kreu dhe pse? Përgjigjet mund të gjenden në Kodin e Procedurës Penale. Që shpjegojnë mënyrën e vetme ligjore se si do të realizoheshin këto verifikime telefonatash. Në një grup nenesh, nga neni 221 deri në nenin 226, në seksionin IV të Kodit të Procedurës Penale, shpjegohet gjithë mënyra sesi mund të realizohet përgjimi apo në rastin konkret, verifikimi i telefonatave. Nis me urdhërimin se Përgjimi i komunikimeve të një personi ose të një numri telefoni me telefon, faks, kompjuter ose me mjete të tjera të çdo lloji… lejohen vetëm kur procedohet për krimet e kryera me dashje, për të cilat parashikohet dënim me burgim jo më pak, në maksimum, se shtatë vjet…. Por për të mbërritur deri këtu, vendimi për lejimin e përgjimit, kërkon plotësimin e disa kushteve. Ai bëhet: Me kërkesën e prokurorit ose të të dëmtuarit akuzues, gjykata autorizon përgjimin me vendim të motivuar për rastet e lejuara me ligj, kur ai është i domosdoshëm për vazhdimin e hetimeve të filluara dhe kur ka prova të mjaftueshme për vërtetimin e akuzës…. Më tej: Përgjimi në vende publike, regjistrimi i numrave të telefonit, hyrës dhe dalës, si dhe përdorimi i pajisjeve gjurmuese të vendndodhjes autorizohen nga prokurori. Kështu thotë ligji. Pjesën tjetër duhet ta thotë kryeministri dhe ministri i tij i brendshëm se në janë plotësuar këto kushte për të mbërritur në deklarimet e tyre publike. A ekziston një vendim gjykate për të vënë në përgjim numrat e mediave? Kur është marrë ky vendim dhe a vazhdon të jetë në fuqi? Nëse është kështu, a do të ketë një hetim, do të ketë përfundim të tij dhe vënie përpara përgjegjësisë së personave për­gjegjës? Ka shumë pikëpyetje që ngrenë dy deklarimet e lëshuara me lehtësi të padurueshme dhe sipas zakonit shqiptar nga dy zyrtarët e lartë të shtetit shqiptar. Madje ka dhe më shumë se kaq. Nga ky moment, mediat së paku, që marrin dijeni për këtë fakt, kanë të drejtë që të bëjnë ankim kundër vendimit për përgjimin e tyre. Dhe, Ankimi shqyrtohet nga gjykata e apelit ose nga Prokurori i Përgjithshëm në rast se autorizimi është dhënë nga prokurori.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›