E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Berisha: Nisim betejën elektorale me 300 politikanë të rinj

TIRANË, 12 dhjetor/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot se “nuk ka fat më të madh për PD-në se sa të nisë betejën elektorale me 300 politikanë të rinj”.

Në përmbyllje të shkollës politike të organizuar nga Forumi Rinor i PD-së, Berisha iu drejtua të rinjve duke vlerësuar se ata e shpëtuan PD-në dhe opozitën shqiptare.

“Nuk ka fat më të madh për PD-në se sa të nisë betejën elektorale me 300 politikanë të rinj, të cilët kanë çdo dhunti për të qenë lidership i vërtetë i fitores së 11 majit. Kemi vendosur fushatën elektorale dhe fitoren t’ua dorëzojmë ju. Në luftë me të keqen, njeriu kurrë nuk duhet të nënshtrohet dhe ju nuk jeni nënshtruar. Nuk u nënshtruat edhe në atë përpjekje që tejkalon çdo imagjinatë kur u bë një grusht shteti brenda shtetit për t’i dorëzuar Edi Ramës edhe opozitën. Pasi i dorëzuan drejtësinë, pasi i dorëzuan zgjedhjet, duhet t’i dorëzonin edhe atë opozitë që qytetarët shqiptarë në terror, në grabitje e kishin votuar si kundërshtare të qeverisë. Kjo është e vërteta”, tha Berisha.

Sipas tij, “vlerat e PD-së janë tradicionale, janë liria dhe dinjiteti njerëzor”.

“Sot ju përfundoni një shkollë kushtuar politikës dhe secili nga ju duhet të ndjehet krenar që ndoqi këtë shkollë. Sado e vështirë që është politika, dhe është arti i të vështirës, por nuk ka tjetër si ajo që të jetë Leva e Arkimedit për të ndryshuar shoqërinë dhe botë. Kjo shkollë ju pajis juve me nocionet dhe dijet më të rëndësishme në këtë betejë që kemi përpara”, u shpreh Berisha.

Tani, vijoi Berisha, “duhet që me 11 maj shqiptarët të triumfojnë mbi të keqen”.

“Sot shqiptarët kanë një opozitë të vërtetë sepse ju i qëndruat besnikë vetes tuaj, i qëndruat besnikë të vërtetave që besoni. Sot duhet që më 11 maj, shqiptarët të triumfojnë mbi të keqen dhe të rikthejmë vlerat e demokracisë”, theksoi Berisha.

1 nga 10

/m.m/j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›