Noka: Berisha lider i opozitës, tentuat ta asgjësonit si kundërshtar politik

TIRANË, 12 dhjetor /ATSH/ Deputeti i Partisë Demokratike, Flamur Noka foli sot në Kuvendin e Shqipërisë për rikthimin e kryetarit të kësaj force politike në seancë, pas heqjes së arrestit të shtëpisë. Noka tha se Berisha është dëshmia e gjallë dhe monumentale e anës më të mirë të historisë.
“Tek ai ju shfaqët anën më të errët tuajën, më diaboliken, e keqja, e gabuara, intriga, korrupsioni të gjitha tiparet tuaja u bënë bashkë në një komplot kundër Berishës. Ju u lumturuat se menduat se do të livadhisni me pengje si të doni dhe koha e PD menduat se po merr fund”, tha ai.
Deputeti i PD iu drejtua deputetëve të mazhorancës duke u theksuar se tentativa për të asgjësuar kundërshtarin politik ka dështuar.
“Kur përmendej emri i tij, reagonit sikur po përmendej një armik i kombit. Fuqia dhe karizma e tij, shanset zero që ta blinit atë, ishin dhe janë problemi juaj. Pas kaq kohësh, ja ku e kemi! Është vullneti i demokratëve dhe qytetarëve të lirë, ai sot është lideri i opozitës. Synimi juaj për të asgjësuar kundërshtarin si formacion dhe frymë dështoi. Shqiptarët duan një Shqipëri normale”, përfundoi fjalën e tij deputeti Noka. /j.p/