E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nisin themelet e Tiranës së shekullit të 21

08-09-2013 / Gazeta 55

Kryeministri, mesazh në Facebook për nisjen e punimeve

Kryeministri Sali Berisha, me anë të një postimi të tij në rrjetin social “Facebook”, ka përshëndetur fillimin e punimeve të Bulevardit të ri të Tiranës. Sipas Berishës, bulevardi i ri do të zhvillojë gjysmën e braktisur dhe të “paralizuar” prej mëse 80 vitesh të Tiranës, madje i jep kryeqytetit pamjen e një metropoli evropian dhe garanton një përmirësim të madh të trafikut, gjelbërimit, tregut dhe punësimit. Berisha në postimin e tij në “Facebook” ka dhënë detaje për ndërtimin e bulevardit të ri të Tiranës, duke shkruar se Buluevardi i ri lidh Tiranën me Paskuqanin dhe ka një gjerësi rreth 70 m dhe si një korridor i vërtetë ekologjik lidh liqenin artificial me liqenin e Paskuqanit. Ai është vazhdim i bulevardit egzistues të ndërtuar 80 vite më parë sipas idesë së arkitektit gjenial Brasini dhe projektit të një grupi arkitektësh të udhëhequr nga Florestano Di Fausto. “Bulevardi i Ri, projekt i studios se famshme Grimshaë, krijon mijëra e mijëra vende pune, i jep kryeqytetit pamjen e një metropoli modern europian. Sistemimi i lumit të Tiranës e shndërron atë nga një zonë e shëmtuar hedhurinash në një zonë shumë të bukur rekreative.”- vijon Berisha. “Mirënjohje të thellë donatorëve bujarë, autoriteteve të UAE, Katar, Kuvajt, Bashkisë së Tiranës, Kryetarit të saj, studios Grimshaë dhe dhjetëra e dhjetëra ekspertëve të shoqërisë civile për këtë vepër themeluese, monumentale të Tiranës së shekullit të 21-të”- përfundon Berisha postimin e tij. “Nisin themelet e Tiranës së shekullit të 21, Bulevardi i Ri”, shkruan Berisha në “Facebook”.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›