Lajmi/Kryebashkiaku Basha garanton banorët për një shpronësim të drejtë

Kryebashkiaku i Tiranës, Lulzim Basha Basha ka garantuar të gjithë banorët që preken nga shpronësimet për ndërtimin e bulevardit të ri të kryeqytetit, se zëri i tyre do të dëgjohet, sikundër garantoi se askush nuk do të mund ta pengojë realizimin e këtij projekti. “Sikundër sigurova dje përfaqësuesit e banorëve që preken nga shpronësimet për ndërtimin e bulevardit, i siguroj edhe sot se Bashkia e Tiranës dhe unë personalisht do të dëgjojmë një për një çdo pretendim dhe do të korrigjojmë çdo shpronësim të bërë në parametra të pamerituar, në mënyrë që çdo familjar dhe çdo banor i bulevardit të ri, të ndihet bashkëaksioner i këtij projekti madhor të qytetit tonë, sikundër i siguroj ata që përdorin dhe keqpërdorin bashkëqytetarët, për të avancuar axhendën e tyre të bllokimit se nuk do ia dalin. Ky është vullneti i qytetarëve të Tiranës, i Tiranës moderne dhe evropiane dhe ne do të ecim përpara!“ – u shpreh kryebashkiaku Basha. Gjithashtu në mbledhjen e fundit të qeverisë Berisha , Këshilli i Ministrave ka miratuar vendimin “Për shpronësimin për interes publik të pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës, faza e I-rë”, në Bashkinë e Tiranës. Për vënien në zbatim të projektit “Bulevardi Verior dhe Rehabilitimi i Lumit të Tiranës”, faza e I-rë, në Bashkinë e Tiranës, pas analizës teknike të kryer nga grupet teknike të punës të ngritura pranë Bashkisë së Tiranës, është konstatuar nevoja për shpronësimin e pasurive troje në pronësi private me sipërfaqe totale prej 38.642 m² dhe 204 objekteve të ndërtuara, në pronësi apo posedim privat. Referuar informacionit zyrtar dhe verifikimeve në terren të kryera nga grupet e punës të ngritura nga Bashkia e Tiranës me qëllim kontrollin, evidentimin dhe vlerësimin e masës së shpërblimit për objektet e banimit, objektet industriale dhe bujqësore, janë identifikuar si pasuri private të domosdoshme për t’iu nënshtruar procedurave te shpronësimit për interes publik, pasuri troje pronë private gjithsej 58 me sipërfaqe 38.642 m², të ndodhura në Zonat Kadastrale 8340 dhe 8330. Pas shqyrtimit të dokumentacionit u arrit në konkluzionin se: Për sipërfaqen prej 38.642 m² truall, vlerësuar me çmimin 26.137 lek/m² të ZK 8330, si dhe 23.217 lek/m² të ZK 8340, me vlerë totale 912.622.642 (nëntëqind e dymbëdhjetë milion e gjashtëqind e njëzet e dy mijë e gjashtëqind e dyzet e dy) lekë. Ndërsa për 204 objekte, sipas matjeve në terren nga grupet e punës, si më lart dhe bazuar në çmimet e Entit Kombëtar të Banesave, vlera totale është 844.853.879 (tetëqind e dyzet e katër milion e tetëqind e pesëdhjetë e tre mijë e tetëqind e shtatëdhjetë e nëntë) lekë. Fondi prej rreth 12.5 milionë eurosh për kompensimin e pronarëve që do të shpronësohen do të përballohet nga Bashkia e Tiranës.