Berisha: Nisma për Shqipërinë superfuqi energjetike në rajon, po lëshon shtat dhe po rritet çdo ditë

Inaugurohen dy hidrocentrale në kaskadën e lumit “Luma”
Kryeministri Sali Berisha inauguroi dje dy hidrocentrale mbi lumin Luma, në grykë të Vanave, në rrethin e Kukësit. Hidrocentrali është një investim me vlerë 32 milionë euro dhe me kapacitet 10 MË. Në kaskadën e lumit Luma po ndërtohen gjithsej 10 hidrocentrale, të cilat prodhojnë energji aq sa prodhon hidrocentrali i Ashtës, rreth 50 MË. Në Shqipëri, gjatë këtyre viteve të fundit, në sektorin e energjisë janë nënshkruar në total 127 kontrata koncesioni për ndërtimin 362 hidrocentraleve, me fuqi të vendosur 1500 MGË dhe investim 2.3 miliardë euro. Kanë hyrë në prodhim 53 HEC-e, me fuqi të përgjithshme të instaluar prej 107 MGË dhe investim total 175 milionë euro. Vetëm gjatë këtij viti janë lidhur 12 kontrata për ndërtimin e 46 hidrocentraleve të reja. Në to janë më shumë se 5 mijë të punësuar direkt dhe deri në 12 mijë të punësuar indirekt. Gjithashtu, janë licensuar 15 kompani për të ndërtuar parqe eolike me një fuqi të instaluar prej rreth 1600 MW, të cilat shtrihen kryesisht në zonën bregdetare të vendit, duke filluar nga qarku i Lezhës në veri e deri në rajonin e Sarandës në Jug. Objektivat për periudhën 2013-2017 në sektorin e energjisë janë që brenda vitit 2013 pritet të hyjnë në prodhim 45 hidrocentrale me fuqi rreth 165MË, me një investim total 215 milion euro; gjatë vitit 2013 do të nënshkruhen rreth 20 kontrata të reja koncesioni, me kapacitet 428 MW dhe vlerë investimi 72,3 miliard leke; gjatë vitit 2013 do të hapen dhe procedurat konkurruese për projektet madhore energjetike, të “Vjosës” dhe “Skavicës”; janë gati të nisin realizimin e investimit rreth 7 projekte madhore në fushën e energjive të rinovueshme për parqe eolike dhe fotovoltaike, me një fuqi prodhuese prej rreth 200 MW, si dhe me një vlerë investimi rreth 350 milionë euro.
Kryeministri u shpreh se “nisma jonë – Shqipëria vend lider në rajon për prodhimin e energjisë elektrike nga ujërat, po lëshon shtat dhe po rritet çdo ditë e më shumë”. Gjithashtu, kryeministri Berisha theksoi se do të bëjmë gjithçka që çdo burim, edhe i vogël qoftë ai, të prodhojë energji elektrike. Duke u shprehur për reformat e ndërmarra nga qeveria për krijimin e një klime sa më të favorshme për biznes, Kryeministri Berisha u shpreh se tani kostoja e ndërtimit të hidrocentraleve do të jetë 20 përqind më e ulët, sepse është hequr TVSH-ja për çdo material që përdoret për ndërtim, për tubat, për turbinat, për çimenton, për çelikun, etj..
“Ne, - tha Kryeministri, - jemi të bindur se është e afërt dita kur ky vend, i cili importon mbi 1/3 e energjisë që konsumon, jo vetëm do të bëhet i vetëmjaftueshëm, por do të bëhet edhe eksportues i fuqishëm i energjisë elektrike. Ne jemi të bindur se duke u bërë i vetëmjaftueshëm me energji të prodhuar nga uji, kemi dhe do të kemi mundësi të ruajmë çmimet më të leverdishme të energjisë për qytetarët shqiptarë”.
Deri në vitin 2020, janë planifikuar të ndërtohen veprat gjeneruese, HEC-e:
Hidrocentrale të vegjël 444 MW
HEC-i Devolli1 75 MW
HEC-i Vjosa1 93 MW
HEC-i Drini1 48 MW
TEC-i i Vlorës 97 MW
TEC-e të Rinj 300 MW