E Diel, 1 Nëntor 2026

Kur e pamoralshmja sfidon të moralshmen, shoqëria humbet drejtpeshimin

12-05-2013 / Nga Mexhit Prençi

Të pamoralshmit kur gjykojnë të moralshmen përdhosja e vlerave bie erë të keqe. Shoqëria, drejtësia dhe e vërteta futen në krizë të përkohshme. Fatmirësisht të pamoralshmit janë pakicë dhe të moralshmit shumicë, çka fitorja nuk mund të jetë kurrë e pakicës. Këtë fenomen që këto kohët e fundit ka arritur të shfaqet dhunshëm ndaj të moralshmes, me mllef, arrogancë, amatorizëm, me fyerje e sharje gjer në idioteske, do ta analizoj duke iu referuar lëvizjes sa të detyruar, aq dhe të domosdoshme të deputetit Kastriot Islami për të qëndruar në politike duke respektuar bindjet e tij socialdemokrate liberale, lirinë dhe pavarësinë e tij, i cili  është bërë personazhi më i debatueshëm  i ditës..
Shtroj pyetjen: është apo nuk është i moralshëm deputeti socialist plangprishës Kastriot Islami? Këtë pyetje ua drejtoj atyre që kanë moral të shëndoshë dhe jo prostitutave politike dhe mediatike; atyre që kanë mend, jo atyre që e kanë trurin pa rrudha; Disa të paktëve që janë vetëçliruar nga mendësitë dhe veprimet kriminale enveriste dhe  jo të tjerëve që sot në demokraci aplikojnë një luftë të re klasash duke e konsideruar liderin e së djathtës armik, ndërsa deputetin socialist me mendime ndryshe nga kryetari,- tradhtar, sipas mësimeve të Qoftëlargut, -Diktatorit të Kuq. Së fundi pyetjen ia drejtoj cilitdo që gjykon me kokën e tij dhe jo me kokën e të tjerëve: a është i moralshëm ai që vë mbi interesat personale interesat kombëtare, lirinë e mendimit, parimet demokratike dhe integrimin e Shqipërisë në BE, duke iu kundërvënë me guxim, atyre që për  para e pushtet nuk ndalen përpara asgjëje?
Në një shoqëri demokratike të civilizuar dhe qytetëruar, me liri dhe demokraci funksionale, liria e shprehjes së individit është kryefjalë e kryefjalëve krahas moralit.. Edhe brenda partisë shprehja e lirë e mendimit pluralist alternativ është e domosdoshme, test për funksionimin e demokracisë së brendshme, për ta ruajtur partinë nga sëmundja e etjes për pushtet absolut, siç u shfaq vitet e fundit në PS dhe tani shpërtheu me agresivitet mbytës të zërit ndryshe. Z. Islami si intelektual i shquar i klasit të epërm, nuk mund të heshtte, ndaj dukurive neodiktatoriale që po i merrnin frymën partisë, për të cilën kishte investuar gjithçka për ta reformuar si parti socialdemokrate. Indiferenca apo heshtja për të, ishte nënshtrim ndaj së keqes së madhe, të shndërrimit të PS në një parti enveriste të tipit Rama, i cili ashtu si Babai shpirtëror i tij Diktatori i Madh, eliminon intelektualët e shquar socialist nga fobia e marrjes së fronit të lartë të pushtetit që synon. Përjashton plangprishësit e mendimit ndryshe Kastriot Islamin. Grumbullon rreth vetes personazhe pa kontribute, pa emër, po edhe të  hurit e të litarit, bijë të baballarëve të kuq kriminelë dhe formon një skuadër me tifozë të sëmurë rreth vetes, të cilët jo vetëm kërcënojnë ata të mendimit ndryshe, por janë të rrezikshëm për demokracinë, lirinë dhe Shqipërinë. Islamit iu mbyllën hapësirat e lirisë së shprehjes në këtë parti. Atëhere trokiti në portat e medias së lirë dhe me guxim kritikoi ashpër  pa dorashka, ultradiktatorin Rama që kishte privatizuar PS. Po edhe  duke qenë jashtë saj si deputet i pavarur, Islami nuk rreshti së kritikuari duke vënë gishtin në plagën e madhe të kësaj partie - rrëshqitjen në neodiktaturë, kritikoi me shpresën e shërimit që gjërat të shkonin në udhën e duhur, që deputetët socialist të votonin ligjet integruese jo të shkonin si dhitë në vath pas kryetarit. Të braktisnin bojkotin, të respektohej ligji dhe kushtetuta, të hiqej dorë nga alibia e vjedhjes së votës, që partia të funksiononte sipas rregullave dhe jo çmendurisë ramiste. Për të gjitha këto e të tjera, asnjë reflektim; përkundrazi injorim, sharje e fyerje, madje  duke deklaruar se nuk u duhej vota  e tij si deputet i pavarur. Dhe kur ai votoi me mazhorancën shkarkimin nga KQZ-ja të lsi-stit gënjeshtar, i dënuar nga gjykata, e quajtën tradhtar dhe i organizuan demonstratën e tipit fashist duke tromaksur familjen dhe mjedisin për rreth.
Luftoi Islamit për të mbrojtur demokracinë e brendshme për katër vjet, ashtu si edhe Arben Malajt, ndërsa Blushi dhe ca të tjerë u tërhoqën nga joshjet dhe paqartësitë në kokat e tyre për marrjen e pushtetit edhe me dhunë. Përkundrazi Islami dhe Malaj si politikanë dhe personalitete me integritet, i pari me bindje socialdemokrate liberale, i dyti me bindje të thella socialiste, vazhdimisht kanë kritikuar për ta reformuar kryetarin dhe partinë, Islami nga jashtë Malaj nga brenda. Mirëpo neodiktatori nuk i do ata që flasin por ata që heshtin, që mbyllin gojën. Ndaj Malajn e la prapa listës së deputetëve, ndërsa Ulqinin që kishte heshtur dhe ndenjur urtë, e futi në  lista e deputetëve në zonës e sigurisë. Ky ishte mesazhi ultradiktatorial për mbyllje goje. Malaj nuk u nënshtrua. Do të kërkonte votën e votuesve si deputet i pavarur, pa e ndërprerë luftën kundra  neodiktaturës brenda partisë. Ky është modeli i intelektualit socialist me integritet, me moral dhe vizione të qarta për pluralizmin e mendimit, lirinë e shprehjes dhe respektimin e rregullave, parimeve dhe të Kushtetutës.
Një tjetër model që i duhet shoqërisë sot është ai i politikanit, intelektualit erudit dhe deputetit Kastriot Islami i cili krejt i qartë dhe i vetëdijshëm ka zgjedhur divorcin përfundimtar me diktaturën ramiste, duke ndjekur traditën e partive socialdemokrate liberale europiane, me kahje qendrën e djathtë si deputet i PD. Është krejtësisht e moralshme kur njeriu, politikani, deputeti, kritiku apo esteti ndryshojnë bindjet pas një lufte brenda vetes nëpërmjet monologut, dialogut dhe debatit, apo me të tjerët duke luftuar për ndryshim e reformizëm, duke çliruar së pari vetveten nga pushtimet e këqija. Kjo lëvizje është zhvilluar duke luftuar me veten si në rrafshin teorik, ashtu edhe praktik,  kur lufta e re e klasave brenda partisë u aplikua për të eliminuar politikanët intelektualë socialistë të shquar, ata që janë historia e asaj partie; kur radhët e saj dhe grupi i deputetëve, ishin mbushur dhe po rimbushet me idhtarë të rinj të neodiktatorit, me miq e biznesmenë të korruptuar si Koço Kokëdhima, dhe me të tjerë nga pasardhësit e Njeriut të Ri enverist që metaforikisht janë quajtur “vezët e gjarpërit” nga shkrimtari.
Të gjitha këto kanë bërë që Islami të ndërgjegjësohet se bashkëjetesa me një parti të tillë ultradiktatoriale është e pamundur. Do të ishte fatalitet të mos divorcohej prej tyre. Duke ju kundërvënë së keqes së madhe, zgjodhi rrugën e lirisë për të qenë luftëtar i guximshëm për një Shqipëri demokratike, progresiste dhe integruese, kundër çdo diktature të vjetër apo të re. Kjo jo vetëm është e moralshme, por edhe modeli i politikani dhe deputetit që vë mbi gjithçka interesat e kombit, lirinë dhe progresin.
Shoqërisë sonë sot, më shumë se kurrë i duhet një model i tillë intelektuali, politikani, deputeti apo gazetari.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›