Berisha: Nuk jam kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, jam për listat e hapura

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot, gjatë njē bashkëbisedimi me qytetarët në rrjetet sociale, se nuk është kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, por mbështet listat e hapura.
“Unë jam për listë të hapur. E them këtu dhe qëndroj plotësisht këtij parimi, e kam shprehur dhe përpara këtë. Unë organizova një tryezë pikërisht me synim bashkimin e opozitës për sistemin zgjedhor. Dhe në këtë kontekst, çdo ndryshim të Kushtetutës, ne do ta mbështesnim”, u shpreh Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët në rrjetet sociale.
Berisha argumentoi se nuk është kundër zgjedhjes së presidentit nga populli, mbasi historia e presidentëve jo njëherë, por më shumë se njëherë është histori kukullash.
“Dhe kombi nuk ka nevojë për kukulla. Nuk ka nevojë. Kombi, vendi, ka nevojë për institucione. Institucione që i përmbahen Kushtetutës”, tha Berisha.
Ndaj, Berisha theksoi se nuk kundërshton.
“Nuk kam qenë dakord dikur me këtë proces, por sot kur shoh asgjësimin e atij institucioni që është institucion shumë i rëndësishëm, mendoj se ai i duhet vendit dhe kombit si institucion i vërtetë dhe jo ‘fake’ siç është”, shtoi ai.
/m.m/a.f/