E Diel, 1 Nëntor 2026

Jaupaj në Tropojë: Investime për transformimin e menaxhimit të mbetjeve

TIRANË, 18 korrik/ATSH/ Ministri i Mjedisit, Sofjan Jaupaj zhvilloi sot një takim pune me kryetarin e Bashkisë Tropojë, Rexhë Byberi, për të diskutuar projektet prioritare që do të transformojnë menaxhimin e mbetjeve në këtë bashki.

Në fokus të takimit ishte ndërtimi i infrastrukturës së re të menaxhimit të mbetjeve, që përfshin landfillin vendor, qendrën e kompostimit dhe impiantin për rikuperimin e materialeve të riciklueshme.

Ministri Jaupaj vlerësoi se menaxhimi modern i mbetjeve fillon me investime konkrete dhe bashkëpunim të ngushtë me pushtetin vendor.

“Diskutuam gjithashtu nevojën për pajisjen e bashkisë me mjete moderne për grumbullimin e mbetjeve, rehabilitimin e venddepozitimit ekzistues, si edhe zgjidhjen e çështjeve të pronësisë që lidhen me ndërtimin e kësaj infrastrukture”, informoi Jaupaj.

Jaupaj theksoi se me investime të mirëplanifikuara dhe bashkëpunim të vazhdueshëm me bashkitë, po ndërtohet një sistem modern të menaxhimit të mbetjeve, në përputhje me standardet e Bashkimit Europian.

1 nga 5

/m.m/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›