E Diel, 1 Nëntor 2026

“Votat gabim”, Klosi: Jemi dakord për Komisionin e Venecias

TIRANË- Sekretari Organizativ në PS, Blendi Klosi, doli dje para mediave për të bërë publike transparencën e asaj, që ai e cilësoi vjedhje në tavolinë të fitores së Ramës për Bashkinë e Tiranës. “Shifrat jo fjalët, numrat jo argumentet juridikë, faktet e 117 kutive të hapura nga Ristani për të vjedhur me urdhër të Saliut, flasin qartë. Çorbë të pangrënshme ka gatuar Saliu me Ristanin duke përzier fletë të gjetura dhe fletë të futura me dorë, tre ditë pas shpalljes së Edi Ramës fitues në sytë e gjithë botës me 10 vota plus.

Partia Socialiste i falënderon edhe njëherë miqtë dhe partnerët ndërkombëtarë të Shqipërisë që janë shprehur qartë për prishjen e integritetit të zgjedhjeve nga KQZ-ja”, tha ai. Në emër të PS-së, Blendi Klosi ka sqaruar se selia rozë mirëpret propozimin e bërë nga përfaqësues të lartë të politikës europiane për përfshirjen në këshillim edhe të Komisionit të Venecias. Më konkretisht, pak ditë më parë, Eduard Kukan, kryetar i delegacionit të Parlamentit Europian për Europën Jug-Lindore, sugjeroi asistencën e Komisionit të Venecias ndaj Kolegjit Zgjedhor, në marrjen e vendimeve profesionale e të pandikuara nga politika.“Kjo është një përpjekje për ti shpëtuar zgjedhjet e 8 majit nga qorrsokaku ku i ka futur Saliu me Ristanin dhe për të dhënë opinionin e kualifikuar e të pakorruptueshëm juridik lidhur me të ashtuquajturat vota të hedhura gabim. Të cilat janë konsideruar të pavlefshme në të gjithë Shqipërinë dhe u bënë të vlefshme kur loja mbaroi, në kohën shtesë të imponuar nga Saliu, jo për të dëgjuar zërin e çdo qytetari po për ta pushtuar edhe Tiranën siç pushtoi Shqipërinë në vitin 2009 duke shkelur mbi vullnetin e qytetarëve”, - tha Klosi. Partia Socialiste ka bërë publike tashmë faktin se në analizën e 117 kutive që KQZ-ja mori në shqyrtim del se në asnjë prej tyre nuk certifikohet rezultati ku votat e zgjedhësve të dalin të barabarta me votat e gjetura në kuti. Më saktë socialistët kanë argumentuar se në shumë qendra votimi ka më shumë vota se zgjedhës. Konkretisht, sipas selisë rozë, në 45 qendra votimi ka 322 vota më tepër në katër kutitë e votimit; në 53 QV ka 436 vota mangut, në të katër kutitë e votimit; në 19 QV ka përzierje votash të subjekteve, që janë objekt i votimit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›