Berisha: Nuk ka të dytë si Edi Rama! Ka përdorur AKSHI-n për të vjedhur qindra milionë euro dhe për të survejuar çdo kundërshtar politik dhe të gjitha ambasadat e huaja
Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se ka përdorur Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) për vjedhjen e qindra milionë eurove dhe survejimin e kundërshtarëve politikë dhe ambasadave të huaja.

Në një deklaratë për mediat, Berisha ngriti akuza të forta ndaj kreut të qeverisë, duke u ndalur te përdorimi i fondeve publike, kostot e punëve publike dhe pretendimet për mbikëqyrjen e kundërshtarëve politikë.
“Nuk ka një të dytë si Edi Rama, që ta përdorë AKSHI-n për të vjedhur qindra milionë euro dhe për të survejuar çdo kundërshtar politik dhe të gjitha ambasadat e huaja”, deklaroi Berisha.
Kreu i PD-së akuzoi gjithashtu kryeministrin për korrupsion dhe vjedhje të pasurive publike, ndërsa theksoi se punët publike në Shqipëri kryhen me çmime shumëfish më të larta se ato të Bashkimit Europian.
Sali Berisha: Do të bëjmë gjithçka për mobilizimin maksimal të qytetarëve në protestë, të të rinjve, në mbështetje të protestuesve. Është rruga e vetme për ta përcjellë sa më shpejt këtë monstër nga ajo Kryeministri, sepse ky nuk është njeri, është një monstër njerëzore. Çdo ditë që kalon, Shqipëria paguan koston më të lartë prej tij. Ndaj edhe ne do të bëjmë gjithçka për pjesëmarrjen maksimale të qytetarëve në këtë protestë.
E them edhe një herë, ne jemi në protestë, nuk e mohojmë. Asgjë në botë nuk na ndal nga protesta. Dështuan. Edi Rama donte të sillte këtu, për të sulmuar selinë, agjentë të policisë kriminale, të shndërruar në një amalgamë me ekstremistët e majtë. Dështoi. Tentoi dy herë dhe dështoi.
Në fund, në shkelje të Kushtetutës, dhunoi selinë duke futur narkobanditë me uniformë, vetëm dhe vetëm për të justifikuar tezën e tij të rreme se kjo është një ANTIFA, se këta nuk e kanë hallin te korrupsioni i tij, droga, vjedhja e zgjedhjeve, por se këta janë anarkistët e shkatërrimit.
Kjo është e gjithë përpjekja e tij për t’u thënë ndërkombëtarëve se ajo që po ndodh në Paris erdhi edhe në Tiranë. Nuk ka asnjë lidhje.
S’ka kryetar shteti dhe kryeministër në Europë që të ketë vjedhur me firmën e tij siç ka vjedhur Edi Rama, miliarda nga qytetarët, dhe të ketë bërë punët publike me çmime 10-fish më të larta se ato të BE-së. Është manual. Punët publike kanë një manual, në botë janë dy: një europian dhe një amerikan.
Nuk ka një të dytë si Edi Rama, që ta përdorë AKSHI-n për të vjedhur qindra milionë euro dhe për të survejuar çdo kundërshtar politik dhe të gjitha ambasadat e huaja.
Nuk ka të dytë në Europë që të ketë transportuar me qindra valixhe diplomatike plot me euro nga Tirana në Bruksel dhe të mos pranojë komisionin hetimor parlamentar. Nuk ka një të dytë në Europë që të presë terroristë të sinjalizuar. Është unik. Kjo protestë është kryekëput e diktuar nga plaçkitja e pasurive publike dhe buxhetit.
Përpjekja e tij për t’i paraqitur studentët shqiptarë si ANTIFA është një përpjekje mjerane dhe këtë e kanë kuptuar të gjithë.