Berisha: Nuk kam marrë thirrje për “21 Janarin”

TIRANË, 14 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, tha sot se do t’i përgjigjet çdo thirrje nga institucionet e drejtësisë, në lidhje me hetimet që po kryhen për protestën e 21 janarit 2011, ku katër protestues u vranë në bulevard.
Gjatë një deklarate për mediet, Berisha tha se gjithçka po përdoret për propagandë, ndërsa theksoi se ai nuk ka marrë asnjë fletëthirrje për t’u paraqitur në SPAK.
“E kam deklaruar, e kam faktuar se unë i përgjigjem çdo thirrje të gjykatës, të prokurorisë speciale, të prokurorisë jospeciale, të kujtdo qoftë, nuk ka asnjë lloj lëkundje nga unë në këtë qëndrim dhe nuk mund të ketë kurrë. Së dyti, ata që e fusin veten për të krijuar, e bëjnë veten bashkëpunëtorë në një propagandë banale, të turpshme, as nuk kanë fytyrë, as nuk kanë moral, as nuk kanë ligj.
“Sepse posta kur niset, ligji është, dorëzohet. Atij që i dorëzohet, i merret firma. E mora, thotë. Dhe unë, kudo, qoftë në seli, qoftë aty ku banoj, kam njerëz të përgjegjshëm, të cilët kurrë nuk mund të ndodhë të firmosin për një dokument që adresohet tek unë dhe të mos ma japin”, tha Berisha.
Berisha theksoi më tej se “nga data 3 që pretendohet, deri më datë 14, ai dokument mund të vinte 5 herë në zyrën time, në shtëpinë time apo në parlament. Dhe nuk ka ardhur askund”.
Kreu i PD-së theksoi sërish se ai “ka kërkuar një hetim të plotë të asaj përpjekje të dhunshme për të përmbysur një qeveri të ligjshme, legjitime”.
“Unë isha thellësisht më i interesuar për hetimin, ndoshta më shumë se kushdo tjetër. Jo për veten time, se ata që patën qëllime të tilla, dështuan, por kjo duhet të zbardhej në interesin më të mirë të shtetit shqiptar”, tha Berisha.
Berisha shtoi se për “21 Janarin” kërkoi prokuror ndërkombëtar dhe një prokuror ndërkombëtar erdhi.
Sipas Berishës “ishte demonstrata më e dhunshme” dhe se “qeveria e SHBA dhe BE dhe kanë kërkuar hetimin e plotë nga polici, tek organizatori kryesor”.
Gjithashtu, gjatë konferencës për mediat, Sali Berisha deklaroi se Departamenti Amerikan i Shtetit, shpalli organizatë terroriste vëllezërit Hysa, për të cilët tha se janë të lidhur me qeverinë.
Ai tha se “mediat botërore sot në të katër anët e planetit informojnë këtë vëllazëri, këta janë 4-5 vëllezër, si parelarësit kryesorë të Sinaloas të Meksikës. Sinaloa e Meksikës është ndoshta karteli më i fuqishëm i drogës në botë. Dhe jo vetëm i drogës, por i shumë aktiviteteve të tjera kriminale“.
Berisha njoftoi se Partia Demokratike mund të depozitojë një kallëzim penal në SPAK lidhur me çështjen e Luftar Hysës dhe lidhjet e tij të pretenduara me eksponentë shtetërorë.
Kryetari i PD, u pyet edhe për akuzat e bëra një ditë më parë ndaj ministrit Blendi Gonxhe. Berisha tha se është i gatshëm të përballet në gjykatë.
/m.q/a.f/r.e/