E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: Nuk më vendos dot askush ultimatume

Kreu qeverisë ka mohuar gjatë mbledhjes së qeverisë që t'i jetë vendosur afat për zgjidhjen e krizës politike


"Një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush t'i japë ultimatume"

TIRANË - Megjithëse në qëndrimin e tyre pas negociatave në Francë, përfaqësuesit e Bashkimit Europian vendosën një afat dyjavor, brenda së cilit forcat politike shqiptare të zgjidhin krizën politike, Kryeministri Sali Berisha mohoi dje që në darkën e Strasburgut të jetë vendosur një ultimatum i tillë kohor. Duke dalë kundër një përcaktimi të tillë, Berisha vuri në dukje se askush nuk mund të lëshojë ultimatume ndaj një qeverie legjitime, e cila, sipas tij, doli nga një proces i lirë zgjedhor edhe pse opozita ka rreth 10 muaj që proteston për parregullsi në procesin e numërimit të votave gjatë zgjedhjeve të kaluara.


"Dua t'ju garantoj një gjë: nuk ka pasur, në mënyrë kategorike dhe absolute, asnjë ultimatum. Se një vendi të lirë dhe një procesi zgjedhor të lirë e të ndershëm nuk mund të imagjinojë kush të japë ultimatume. Çdo interpretim i kësaj natyre është tërësisht interpretim primitiv, thellësisht primitiv. Ne jemi një qeveri legjitime, e dalë nga zgjedhjet më të mira në historinë e këtij vendi", - tha dje Berisha. Duke mohuar afatin dyjavor të përcaktuar nga ndërkombëtarët, Berisha theksoi se në bisedimet e Strasburgut është diskutuar për alternativat e mundshme të zgjidhjes së krizës politike, por nuk ka pasur asnjë kërkesë të kësaj natyre. Sipas tij, tryeza e mbajtur midis liderëve shqiptarë dhe atyre ndërkombëtarë ka konstatuar në vendosmërinë për të gjetur një zgjidhje të krizës politike brenda kuadrit kushtetues, dhe, sipas Kryeministrit, qeverisë shqiptare nuk i është ngarkuar asnjë përgjegjësi për krizën politike.


"Ata që imagjinojnë se kësaj qeverie i qenkan dhënë ultimatume, atyre u ka mbetur ora në kohërat më të vështira të këtij vendi. Nuk ka pasur as edhe një ultimatum. Meqenëse e kanë qarkulluar këtë gjë me kaq pasion, mund të them se, përkundrazi, janë diskutuar opsione, për të cilat, për shkak të karakterit të tryezës, pasi ishte një darkë pune, nuk kam marrë dhe nuk marrë përsipër t'i bëj publike. Ka spikatur dhe spikat në mënyrën më të qartë vendosmëria për të respektuar Kushtetutën e këtij vendi, për të studiuar të gjitha hapësirat e mundshme dhe për të arritur në një zgjidhje të ngërçit të krijuar.


Por jashtë çdo lloj konteksti të një borxhi ndaj ndokujt. Këtë dua t'jua them në mënyrën më të prerë", - u shpreh ai. Kreu i mazhorancës nuk dha asnjë përgjigje ndaj kërkesave të fundit të opozitës për zgjidhjen e krizës politike, kur dje në Tiranë kanë mbërritur edhe ekspertët e Bashkimit Europian për të negociuar në planin teknik midis përfaqësuesve të shumicës e pakicës. Por, Berisha specifikoi se vendosja e ultimatumeve nuk i shërben dialogut dhe kompromisit midis forcave politike dhe në rrethanat që gjendet Shqipëria sipas tij, ultimatumet nuk janë në nevojshme.


"Nuk ka pasur, nuk ka dhe nuk mund të ketë ultimatum. Atyre që i mbahen doktrinës së ultimatumeve mund t'u them se nuk u shërben. Doktrina e ultimatumeve është një doktrinë e papajtueshme me dialogun, është doktrinë e papajtueshme me kompromisin. Duhet ta studiojnë mirë politikën dhe të shohin se kur hyjnë në fuqi ultimatume dhe në cilat rrethana aplikohen ato", - përfundoi Berisha.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›