Rama i shkruan Barrosos: Heqja e vizave, jo peng i krizës politike

Në letrën e vet, kreu socialist thekson se mungesa e transparencës së zgjedhjeve nuk mund të pengojë ecjen e lirë të shqiptarëve
TIRANË - Përmes një letre drejtuar Presidentit të Komisionit Europian, Jose Manuel Barroso, kryetari i opozitës, Edi Rama, i kërkon që procesi i liberalizmit të vizave të mos kushtëzohet nga situata aktuale politike që po kalon Shqipëria.
Duke e falënderuar për propozimin e Komisionit Europian, Rama i kërkon Barrosos, që heqja e regjimit të vizave të mos mbetet peng i mungesës së transparencës së zgjedhjeve, të kushtetutshmërisë.
"Lejomëni t'Ju lutem zoti President që lëvizja e lirë e shqiptarëve të mos varet a lidhet në asnjë mënyrë me çfarëdo problemi që Shqipëria sot ka për shkak të mungesës së transparencës dhe të kushtetutshmërisë në një sërë aspektesh të administrimit të punëve të vendit, duke filluar nga vetë parlamenti ku këto mungesa themelore fatkeqësisht ndeshen rëndom", - shkruan në letrën e tij kreu i opozitës, Rama.
Ai specifikon më tej se opozita shqiptare ka bërë apelin e saj ndaj Bashkimit Europian për të bërë të mundur heqjen e regjimit të vizave në hapësirën "Shengen".
Pavarësisht krizës politike midis mazhorancës dhe opozitës që mbetet ende e pazgjidhur, sipas Ramës, deputetët socialistë dhanë miratimin e tyre për rezolutën e hartuar nga Partia Demokratike mbi procesin e heqjes së vizave. "Apelin për heqjen e regjimit të vizave e për moskushtëzimin e kësaj procedure të shumëpritur për Shqipërinë e kemi bërë pa pushim, në Tiranë, Bruksel, Strasburg, Pragë, Sarajevë, kudo ku kemi gjetur një hapësirë europiane për të thënë fjalën tonë.
Me të njëjtën vetëdije kemi punuar, në mes të krizës politike që ka mbërthyer vendin, për miratimin konsensual në Kuvendin e Shqipërisë të një rezolute të 11 marsit 2000, ku kemi inkurajuar institucionet shqiptare në përmbushjen e standardeve të Udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave", - thuhet më tej në letër.
Ai i bën të qartë gjithashtu kreut të Komisionit Europian se liberalizimi pa kushte i vizave me vendin tonë do të bënte të mundur kalimin e pengesave në aspektin e ndërtimit të shtetit ligjor në Shqipëri, si dhe garantimit të një demokracie funksionale në tërësi.
"Kjo periudhë do jetë vendimtare për vendin tim dhe liberalizimi pa kushte i vizave me Shqipërinë do të inkurajonte padyshim edhe kapërcimin e pengesave të vështira me të cilat përballet sot shoqëria shqiptare në ndërtimin e shtetit të së drejtës dhe demokracisë funksionale", - nënvizohet në letrën e kryesocialistit Edi Rama.
Opozita është akuzuar shpeshherë nga ana e mazhorancës se me qëndrimin e saj politik për zgjedhjet po kërkon që të pengojë procesin e liberalizimit të vizave, ndërkohë që në këtë letër Rama i kërkon Jose Manuel Barrosos që heqja e viza me Shqipërinë të mos varet nga gjendja politike e saj.