Dokle: Fletët e votimit nuk do të digjen

Selia rozë i ka bërë apel kryeministrit të pranojë zgjidhjen se në të kundërt do mbajë përgjegjësi
"Ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre se fletët e votimit as mund të grisen dhe as mund të digjen!"
Partia Socialiste i bën thirrje mazhorancës që të heqë dorë mbi çdo skenar që mund të çojë në eliminimin e fletëve të votimit dhe të pranojë sa nuk është vonë zgjidhjen e ofruar për krizën politike në vend. Deputeti socialist Namik Dokle në emër të selisë rozë ka ripërsëritur dje se kokëfortësia e qeverisë për të bërë të paditurën në lidhje me ofertën e zgjidhjes së krizës, po rrezikon të ardhmen europiane të vendit. Sipas tij, afati dyjavor që ndërkombëtarët i vunë klasës politike shqiptare për të zgjidhur krizën është tepër domethënës për rëndësinë që mund të ketë moszgjidhja e kësaj situate në marrëdhëniet e Shqipërisë me familjen e madhe europiane.
"Ndërkohë, opozita, në këto dy javë po i jep parlamentit shansin e normalitetit e të gjakftohtësisë për të arsyetuar dhe për të vendosur zgjidhjen që tashmë është mbi tavolinë. Moszgjidhja dhe vazhdimi i krizës do të kenë pasoja të drejtpërdrejta dhe të menjëhershme në marrëdhëniet e Shqipërisë me Bashkimin Europian, e me çdo faktor të përfshirë në tryezë. Dhe padyshim, thellimi i kësaj krize do të kishte pasoja të rënda jo vetëm lidhur me axhendën tonë europiane, por edhe mbi gjendjen e vendit", - tha deputeti Namik Dokle në fjalën e vet, ndërsa ka shprehur vullnetin e PS-së për t'i qëndruar frymës së dialogut të vendosur në Strasburg një javë më parë.
Socialistët paralajmërojnë kryeministrin e vendit se në rast se do të vijojnë të mos reagojnë pozitivisht ndaj kërkesës së opozitës, atëherë do të mbajnë përgjegjësi për gjithçka që ka të bëjë jo vetëm me proceset integruese, por edhe me vetë situatën e përgjithshme në vend. Ndaj ka bërë të ditur dje selia rozë, për të mos agravuar situatën dhe krizën politike në vend fletët e votimit që gjenden në kuti nuk mund të asgjësohen pa u bërë më parë transparenca e zgjedhjeve. "Kushdo që i shmanget zgjidhjes së ofruar, kryeministër, qeveri apo KQZ dhe flet për djegien e votave me benzinë, do të përballet me përgjegjësinë historike para vendit. E përsëris, që ta marrë vesh mirë Berisha, Ristani dhe gjithë stani i tyre se fletët e votimit as mund të grisen, as mund të lagen dhe as mund të digjen!", - theksoi Dokle.
Është mungesa e transparencës së zgjedhjeve ajo që ka sjellë, sipas socialistëve, edhe një sërë krizash të tjera të vend dhe që lidhen me ekonominë e shqiptarëve, shtetin e së drejtës etje. Për këtë arsye PS e vlerëson transparencën e zgjedhjeve si çelësin për të dalë nga një situatë e tillë dhe për t'i dhënë shansin Shqipërisë që të vijojë rrugën e saj europiane. "Zgjidhja është te transparenca e zgjedhjeve! Aty fillon transparenca për gjithçka ndodh në këtë vend. Protestat e fuqishme të opozitës i treguan qeverisë se nuk mund të shkelë kurrë një kauzë të drejtë, të mirëpritur jo vetëm nga opozita. Greva sublime e deputetëve dhe simpatizantëve të opozitës i tregoi qeverisë se shurdhëria dhe kokëfortësia e saj e rrezikshme nuk mund t'i imponohet një populli të lirë dhe që është i gatshëm të sakrifikojë për lirinë.
Tryeza e Strasburgut i tregoi qeverisë se nuk mund të ketë integrim kur transparenca zëvendësohet nga mashtrimi, kur respekti ndaj opozitës zëvendësohet nga diktati, kur shteti i së drejtës zëvendësohet nga presioni mbi institucionet. Tryeza e Strasburgut ofroi zgjidhje e vuri një afat sa dashamirës aq edhe të vendosur, sa të mençur aq edhe ultimativ! Të gjitha kambanat bien për qeverinë dhe mbi qeverinë!", - shtoi Dokle.