Berisha: Nuk mund të pretendohet se fermerët nuk e përdorin dot internetin

Sali Berisha me iPad në duar / foto arkiv
Kryeministri i vendit, Sali Berisha, duke folur në mbledhjen e kabinetit qeveritar për projektin Shqipëria dixhitale, deklaroi se ky është viti i finalizimit të këtij projekti. Duke paraqitur kërkesa specifike për çdo dikaster dhe agjenci, kreu i qeverisë kërkoi realizimin e projekteve të nisura deri në fund të nëntorit.
Ky është viti i finalizimit të Shqipërisë dixhitale. Nuk ka dhuratë më të bukur që mund ti bëhet Shqipërisë dhe shqiptarëve në 100-vjetorin e pavarësisë së këtij vendi. Objektiv jo i lehtë por plotësisht i realizueshëm. Asgjë nuk ndikon më shumë se sa dixhitalizimi, ne e kemi përparuar këtë proces dhe u rikujtoj se qeveria dhe agjencitë e saj kanë 125 projekte në zbatim e sipër. Shqyrtoni buxhetin dhe mos lini këto projekte. Në rast se kalon buxheti në qershor ato të jenë gati, tha kreu i qeverisë.
Berisha u ndal veçanërisht tek ministria e Bujqësisë, ku kërkoi që ajo ti ofrojë fermerëve të gjithë informacionin e nevojshëm dhe të mos justifikohet me faktin se fermerët nuk e përdorin internetin.
Informacioni në sektorin e bujqësisë është një dimentar. Është shumë i pamjaftueshëm. Nuk mund të pretendohet se fermerët nuk e përdorin dot internetin. Ata e përdorin në mënyrë të shkëlqyer për interesa që u duhen tyre por e rëndësishme është që ne ti bëjmë disponibël të gjitha të dhënat që ata kanë nevojë. Ministria e Bujqësisë nuk do mund të arrijë objektivat e saj pa një informim total nga pika e ujit që bien në rrënjë të bimës deri tek tregu, tha kryeministri.
Berisha kërkoi nga ministria e Mjedisit por edhe ministritë e tjera që të publikojnë të gjitha lejet dhe licencat në faqet e tyre në internet. /F.Stafa/