Berisha: Manual për të shpjeguar të dhënat e hapura
Kryeministri Berisha ka kërkuar sot hartimin e një manuali për të shpjeguar të dhënat e hapura. Në një takim me ministrat dhe krerët e disa agjensive të informacionit, Berisha theksoi se projektet e teknologjisë së informacionit duhet të ofrojnë garanci për funksionimin e këtij sistemi në një sportel të vetëm.
Sipas tij kjo kërkon vullnet nga të gjitha agjensitë si dhe përcaktimin e të dhënave të hapura që do të jenë pjesë e këtij sistemi.
“Kjo kërkon që ju të shqyrtoni në mënyrë imediate buxhetin për zgjidhjen e domosdoshme që do të bëni në mënyrë që sistemet tuaja të jenë pjesë integrale e projektit të inteprobalitetit” shtoi Berisha.
Ai ka theksuar më tej se do të procedohet me botimin online të raporteve të auditimit duke botuar çdo akt kontrolli pasi është kompletuar procedura burokratike.
“Studim për të gjitha faqet zyrtare të internetit për t`i kthyer në “user friendly”, inspektim të faqeve zyrtare të pushtetit vendor, sepse ka prej tyre që i kanë të ndryshkura” theksoi Berisha. Ai gjithashtu kërkoi nga kabineti qeveritar dhe drejtorët e agjencive që kanë projekte për implementim në fushën e teknologjisë së informacioni, të ofrojnë të gjitha të dhënat e punës së tyre që posedojnë me qëllim nxjerrjen e tyre online.