E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Nxitja e investimeve, shmangu krizën ekonomike në Shqipëri

05-11-2012 / Gazeta 55

Kryeministri Berisha inauguron HEC-in e Bushtricës, në Kukës, një investim me vlerë 15 milionë euro që furnizon me energji elektrike 22 mijë familje. “Mandatin e ardhshëm bëhet realitet ëndrra për një Shqipëri të zhvilluar”   


Kryeministri Sali Berisha u shpreh dje gjatë inaugurimit të një HEC-i në komunën Bushtricë, Kukës, se dje rritja e investimeve në vend, është sukses i politikës i kësaj qeverie, me synim arritjen e objektivit, për shndërrimin e Shqipërisë në një “superfuqi të energjisë së rinovueshme” në rajon. Kreu i qeverisë tha se shfrytëzimi i burimeve ujore dhe ndërtimi i veprave energjetike, është një nismë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit. Sipas tij, sot në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit dhe Evropës, janë në zbatim e sipër me dhjetëra projekte hidroenergjetike. “Ndërtimi i kësaj vepre është, së pari, një sukses i madh i politikës së kësaj mazhorance për shndërrimin e Shqipërisë në një superfuqi të vogël të energjisë së rinovueshme në rajon. Kur u shpall kjo nismë, pak vite më parë, në tërësi u prit më skepticizëm, por e vërteta është se kjo nismë po lëshon shtat dhe rritet çdo ditë e më shumë, nga jugu në veriun e Shqipërisë, nga lindja në perëndimin e saj, me të gjithë lumenjtë dhe burimet ujore të këtij vendi. Kjo nismë ka bërë që sot në Shqipëri, më shumë se në çdo vend tjetër të rajonit dhe Evropës, të jenë në zbatim e sipër me dhjetëra e dhjetëra projekte hidroenergjetike. Kjo nismë ka bërë që në një hark të shkurtër kohor, katër vjeçar, në Shqipëri të ndërtohen dhe rindërtohen mbi 70 hidrocentrale. Kjo nismë ka bërë që sektori privat dhe shoqëritë private të fushës së energjisë, nga Evropa dhe mbarë bota, të firmosin me autoritetet shqiptare kontrata koncensionare për ndërtimin deri më sot të 330 hidrocentraleve, ndër të cilat edhe projekte gjigande, siç është kaskada e Devollit. Kjo është një nismë jetike për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë. Me këtë nismë ne synojmë që ujërat e burimeve tona natyrore, të cilat derdhen në det të fjetura, pa vlerë, të marrin vlerat energjetike dhe të shndërrohen në vlera të mëdha për qytetarët shqiptarë. Në këtë nismë qëndron një nga shtyllat më kryesore të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, çka do të thotë që investimi i sotëm jo vetëm të mos dëmtojë interesat e brezave që vijnë pas nesh, të fëmijëve tanë, fëmijëve të fëmijëve tanë, por të jetë një trashëgimi e shkëlqyer për ta”, u shpreh kryeministri. Duke u ndalur te situata ekonomike në eurozonë dhe më gjerë, Berisha tha se Shqipëria s’është prekur nga kriza si dhe po dëshmon rritjen e investimeve. Sikundër vlerësoi Kryeministri, rruga më e sigurt për tu mbrojtur nga pasojat e saj (krizës) është inkurajimi dhe mbështetja e investitorëve. “Evropa është në një krizë të vërtetë dhe po kështu pjesa më e zhvilluar e botës. Kjo është një krizë afatgjatë. Besimi ynë i palëkundur është se rruga më e sigurt për tu mbrojtur nga pasojat e saj është inkurajimi juaj, mbështetja dhe suksesi juaj. Në këtë sukses qëndron garancia më e madhe e përballimit të pasojave të krizës nga ekonomia shqiptare. Në këtë sukses qëndron garancia më e madhe që në katër vitet e ardhshme të bëjmë realitet ëndrrën më të bukur të qytetarëve shqiptarë, ëndrrën e Shqipërisë së zhvilluar”, tha ai. Kreu i qeverisë garantoi se përpjekjet e qeverisë shqiptare për përmirësimin gjithnjë e më të madh të klimës së biznesit nuk do kenë të ndërprerë. Gjithashtu, Kryeministri premtoi se investimet në sektorin energjetik do të kryhen me një kosto rreth 20 për qind më të ulët, ndërsa konstatoi vendimin e qeverisë për heqjen e TVSH-së për të gjitha makineritë e importuara nga investitorët. “Ju e ndërtuat këtë hidrocentral në një kuadër të caktuar ligjor, por të gjitha veprat e tjera ju do t’i ndërtoni me një kosto rreth 20 për qind më të ulët, pasi qeveria ka vendosur heqjen tërësisht të TVSH-së për të gjitha makineritë që ju importoni për veprat energjetike dhe çdo vepër tjetër. Qeveria parashikon këtu një prag prej 500 mijë euro. Ky prag do zbritet në nivele shumë më të ulëta, në mënyrë që investitorët e çdo fushe për makineritë që sjellin të mos paguajnë asgjë, përveç transportit të tyre. Së dyti, për veprat hidroenergjetike, në mënyrë specifike, kemi vendosur heqjen e TVSH-së për të gjithë çimenton dhe hekurin që përdoret në ndërtimin e tyre. Ju dëgjuat se janë hedhur rreth 20 mijë metër kub beton në ndërtimin e kësaj vepre, janë përdorur mijëra ton çelik për ndërtimin e saj. Sot e tutje këto materiale ndërtimi për hidrocentralet do t’u kushtojnë 20 për qind më lirë investitorëve vendas dhe të huaj. Ju garantoj se këto janë hapa që nuk do të ndalen me kaq”, tha ai. Më tej, kryeministri vlerësoi angazhimin e investitorëve italianë ETEA dhe partnerët e tyre shqiptarë, Gjokaj, Biberaj, për investimin e rëndësishëm në ndërtimin e veprës energjetike. “Para së gjithash unë dua të përgëzoj shumë përzemërsisht shoqërinë italiane ETEA, ortakët e saj shqiptarë, Gjokaj, Biberaj, etj., për këtë investim shumë të rëndësishëm që kanë bërë këtu në Lapaj, në një vepër hidroenergjetike që mbulon plotësisht furnizimin me energji të 22 mijë familjeve, për të cilën janë investuar rreth 15 milionë euro. Për realizimin e saj kanë punuar 2500 punëtore, teknikë, inxhinierë, në të gjitha fazat. Kjo nismë është rezultat i një bashkëpunimi të shkëlqyer të biznesit italian me biznesin shqiptar. Ndaj dhe unë dua t’ju shpreh një mirënjohje shumë të thellë të gjithë përfaqësuesve të kompanive italiane, kompanisë ETEA dhe kompanive të tjera që së bashku me investitorët shqiptarë një ëndërr dhe një projekt në letër e bënë të vërtetë këtu me një vepër të madhe e të rëndësishme në komunën Bushtricë, bën realitet një hidrocentral të teknologjisë më moderne dhe më bashkëkohorë. Dëshiroj të falënderoj përzemërsisht bankën Sanpaolo IMI, drejtorin aktual të saj, për besimin që kanë treguar në këtë projekt dhe investimin e tij”, tha ai.


HEC-i i Lapajt, vepra energjetike me vlerë 15 milionë euro


Hidrocentrali Lapaj shfrytëzon ujërat e lumit të Bushtricës dhe ka një kapacitet të instaluar prej 13,62 MW, me një prodhim mesatar vjetor të energjisë të vlerësuar prej 49.865 MWh. Ky projekt është një investim me vlerë rreth 15 milionë euro i realizuar nga shoqëria koncensionare “Gjo-Spa Power” sh. p. k., pjesë e grupit italian ETEA. Hidrocentrali ka nisur punën dhe në të prodhohet energji e mjaftueshme për të mbuluar nevojat e më shumë se 22.000 familjeve. Për ndërtimin e tij u punësuan 2500 punëtorë, inxhinierë e specialistë. Në këtë kaskadë do të ndërtohen edhe gjashtë hidrocentrale të tjerë, fuqia totale e të cilëve parashikohet të jetë më shumë se 50 MW dhe, gjithashtu, do të realizohen nga investitorë vendas dhe ata italianë. Të pranishëm në këtë inaugurim ishin edhe ambasadori i Italisë në Tiranë Massimo Gaiani, ministri i Ekonomisë Tregtisë dhe Energjetikes Edmond Haxhinasto, ministri i Brendshëm Flamur Noka, deputetë të qarkut të Kukësit, përfaqësues ETEA grup dhe partnerë të tyre shqiptarë, përfaqësues të pushtetit vendor, etj.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›