E Diel, 1 Nëntor 2026

Vjen në Vlorë Major Ahmet Lepenica/Promovohet në kuadër të 100 vjetorit te pavarësisë kombëtare

05-11-2012 / Nga Gëzim Llojdia

Në kuadër të 100 vjetorit të pavarësisë kombëtare, Universiteti “Pavarësia” dhe Klubi i shkrimtarëve “Petro Marko” organizoi promovimin e librit: “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920” shkruar nga studiuesi Enver Memisha-Lepenica. Studiuesi Msc Gëzim Llojdia duke hapur këtë takim tha: “Ky botim i plotë i studiuesit Lepenica përbën në vetvete një dritare të re për vetë mënyrën e të shkruarit, analizën e fakteve, dokumentet e paraqitura në gjuhën origjinale dhe faksimile të tyre, kujtime dhe folklori, gazete dhe të gjitha mjetet që të dëfrejnë rrugën e të vërtetit. Lëvizjet e tyre deshifrojnë pikërisht pozicionimin e tyre atdhetar por sikurse frymën, që e përdorën për hyrjen fortësisht të mençur në këtë lëvizje shqiptare. Flitet se nga kohët e Rilindjes Kombëtare, një gen i shqiptarizmit, filloi të lëvizë tek këta patriotë. Ky gen erdhi, por u forcua duke u ruajtur i shenjtë tek shqipfolësit. Numërohen të këtij geni të shqiptarizmës i përkasin edhe familja Lepenica. 1-Në rrafshin politik. Figura e Ahmet Lepenicës është patriotizmi, që ushqeu shqiptarizmin gjatë gjithë kohës së ndritshme të përndritjes tonë kombëtare. Me frymën e tij patriotike, Bashkëkohës i Mustafa Qemalit, bashkëluftëtar dhe mik i Ismail Qemalit, mbrojtës i Pavarësisë Kombëtare 1912-1913, çlironjës i krahinave të jugut të Shqipërisë më 1914. Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920; 2-I ndërgjegjësoi se fati i kombit ishte në duart e shqiptarëve në këto kohë të mjegullta ishte shqiptarizmi. Fati i tyre ishte qëndrueshmëri i lidhur me kombin,fati i të cilit gjendej në pluskimin e pushtimeve të huaja sidomos pas luftë së Vlorës. Nuk ka asnjë ndryshim frekuence në qëndrimet e tij patriotike gjendet Komandant i Krahut të Vjosës, në vitin 1921, Qarkkomandant i Xhandarmërisë së Gjirokastrës në vitin 1922, kontribuues i shquar në hallet dhe problemet e krahinës së Mesaplikut deri në shuarje, pra deri në këputje të shpirtit në vitin 1941”. Edhe studiuesi Gëzim Zilja referoi rreth librit. Ai theksoi se libri i shkruar nga studiuesi i palodhur Enver Memishaj-Lepenica përfshin një numër të konsiderueshëm dokumentesh të kohës mbi jetën dhe veprimtarinë e njërit prej njerëzve më të shquar të Labërisë, “e një veterani pa njollë” siç thotë autori, që gjithë jetën ia kushtoi luftërave për liri e pavarësi të Shqipërisë. Në faqet e para zoti Memishaj rreket të bëjë një përshkrim të shkurtër të Vlorës dhe veçanërisht të Lepenicës së tij të dashur në rrafshin historik, pa harruar të përshkruajë bukuritë e vendlindjes. Me një sinqeritet të madh ose si i thonë nga anët e tij me zemër në dorë ai shprehet: Ky libër është produkt i dashurisë për vendim tim, për fshatarët e mi, për Labërinë, sepse siç ishte Lepenica, ishte tërë Labëria, siç vuante Lepenica vuante krahina e Mesaplikut, e Labërisë dhe e gjithë Shqipërisë (Ahmet Lepenica, fq 21). Dhe më tej: “Unë kam synuar të nxjerr në dritë karakterin, mendësinë dhe shpirtin atdhetar të këtij luftëtari, duke e vënë në vendin që meriton. Dramës së historisë sonë t’i kthejmë personazhet realë ashtu siç kanë qenë. (Ahmet Lepenica. Fq. 23). Dhe këtë premtim që zoti Memishaj e bën që në fillim e shohim të shpaloset faqe pas faqeje duke hedhur dritë jo vetëm në figurën e luftëtarit patriot por edhe të shumë figurave të tjera, bashkëluftëtarë ose jo me major Ahmet Lepenicën. Në librin e Enver Memishajt, shikojmë një sërë komandantësh, luftëtarësh e udhëheqësish kryesisht lebër, që drejtuan Luftën Heroike të ‘20, kundër njërës nga fuqitë ushtarake më të mëdha të kohës ose si thuhet në këngë “Me një mbret dyzet miljonë”. Për Luftën e Vlorës At Shtjefën Gjeçovi do të shprehej: “Në luftë të Vlonës luftoj besa e trimnija kundra fuqijet e dijet… Filluen luftën të pështetun në shpresë të ndihmës së Perëndisë e të bashkimit vëllazëror, e patën sosë a me mbetë të gjithë në lam të luftës ose me shpërthye dyert e hekurta e ledhet e çelikta të armiqve... Hytë ngadhnjyes në Vlonë, në atë Vlonë kreshnike e cila kurdoherë e ka pas dëftye veten se ndër deje i vlon gjaku fjesht shqiptar” (Shtjefën Gjeçovi. Gazeta Mbrojtja Kombëtare, faqe 21-28, viti 1920). Për ta mbyllur përmendim fjalët e historianit të njohur vlonjat, Prof. Dr. Bardhosh Gaçe. Ai vlerëson: “Me pasurinë e dokumenteve, provave dhe fakteve, Ahmet Lepenica, portretizohet e jepet si një apostull i shqiptarizmës, i mbuluar nga mjegulla e kohës padrejtësisht…. Dhe monumentin që prisnim për Ahmet Lepenicën ja ngriti Enver Memishaj me këtë libër”. Laureta Petoshati, publiciste, u ndal mbi disa fakte të reja nga libri “Major Ahmet Lepenica”, kurse aktori Vasillaq Godo recitoi poezinë “Toto Bolena”, të shkruar nga Kudret Kokoshi. Fahri Shaska kumtojë rreth figurës së Ahmet Lepenicës dhe qëndrimit të tij si dhe mohimit që i është bërë në shumë botime të viteve të shkuara kur emri i tij nuk përmendet. Albert Abazaj analizoi figurën  e patriotike të  Ahmet Lepenicës duke ju referuar studimit të hollësishëm bibliografik. Mësuesi Shpresim Kasaj, Kryetar i shoqatës “Armëni” iu referua pasqyrimit të fakteve mbi luftën e Vlorës nxjerr nga libri. Aktori i teatrit “Petro Marko” Vasillaq Godo recitoi gjatë promovimit “Hymni i Vlorës”, të shkruar nga poeti dhe ish-kryetari i bashkisë së Vlorës, Ali Asllani, kurse mësuesi Begë Karefil Begaj referoi temën: Mbi veprën e Enver Memishaj-Lepenica “Major Ahmet Lepenica, Komandant i Përgjithshëm i Trupave Kombëtare në Luftën e Vlorës, 1920”.
Në fund, Autori i librit Enver Lepenica tha se në hartimin e kësaj vepre kanë ndihmuar me konsulencat e tyre: Dr. Bujar Leskaj, Dr. Iliaz Gogaj dhe Prof. Nestor Nepravishta. Vlerësimi i librit është bërë nga Prof. Dr. Bardhosh Gaçe, Mjeshtër i Madh. 

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›