E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: Opozita, barrikadë statusit, nga frika se forcohej mazhoranca në zgjedhjet e 2013-s”

13-12-2012 / Gazeta 55

Kreu i qeverisë u kërkon anëtarëve të kabinetit qeveritar të vijojnë punën për realizimin e standardeve evropiane. “3 ligjet do votohen pasi të jetë shembur muri i bllokimit”


Kryeministri Sali Berisha u ndal dje gjerësisht në mbledhjen e Qeverisë, te refuzimi i statusit të Shqipërisë në BE, për të tretën herë radhazi. Shefi i ekzekutivit akuzoi direkt lidershipin socialist, Edi Rama për bllokimin e aspiratës mbarëkombëtare, për interesa të ngushta politike. Qëndrimi bllokues i Ramës, tha kryeministri, lidhet me frikën se statusi do të forconte më shumë pozitën dhe qeverinë në zgjedhjet e ardhshme. Por, shtoi kreu i qeverisë, Rama i bëri llogaritë gabim, pasi statusi i vendit kandidat në BE, do të evidentonte kontributin e të gjitha palëve dhe do forconte pozitat e shqiptarëve. “Ministrat e Jashtëm të BE vendosën që Shqipëria nuk merr dot statusin pa votuar tre ligjet në parlamentin shqiptar. Në këtë kontekst Edi Rama realizoi një qëllim ogurzi, qëllimin e bllokimit të marrjes së statusit, me besimin e verbër se statusi do të forconte më shumë pozitën e qeverisë në zgjedhjet e ardhshme. Unë gjykoj se statusi forconte pozitën e të gjithë shqiptarëve në procesin e integrimit, evidentonte kontributin  e të gjitha palëve në këtë proces. Mirëpo Edi Rama beson se murin që u ngriti shqiptarëve me mosvotimin  e tre ligjeve do të mund ta fshehë dhe maskojë duke u serviruar atyre, kërkesat për hapjen e negociatave në vend të kërkesave për marrjen e statusit”, u shpreh Berisha. Ai theksoi se në këtë veprimtari të koordinuar bllokuese të tij, Edi Rama në mënyrën më të përsëritur publikisht dhe privatisht iu ka deklaruar mbështetësve të tij se statusi do të kushtëzohet me zgjedhje, por kjo nuk ndodhi. “Kjo nuk ndodhi, dhe jo se zgjedhjet nuk janë një proces i një rëndësie jetike, por sepse Komisioni Evropian, kur rekomandoi statusin si institucioni që ndjek më afër dhe me hollësi çdo zhvillim, nuk pranoi kërkesën e zotit Rama për të futur zgjedhjet si kusht për statusin. Jo i tha, zgjedhjet do të jenë kusht për hapjen  e negociatave”, tha kryeministri. Kreu i qeverisë garantoi se çdo përpjekje për bllokim mund të vonojë, po në asnjë mënyrë të bllokojë një proces të natyrshëm të një vendi dhe kombi për të zënë vendin që i takon përkrah kombeve të qytetëruara. Sipas tij, muri bllokues do të rrëzohet nga vota e shqiptarëve më 23 qershor 2013-ë. “Natyrisht, Edi Rama nuk voton, por e garantoj se ai mur që ju ka ngritur shqiptarëve do të rrëzohet në zgjedhjet e ardhshme. Asnjë mur nuk mund të pengojë një komb dhe një vend, në një proces që në një farë mënyre është një proces i natyrshëm për të zënë vendin e vet mes kombeve të qytetëruara. Mund ta vonosh, siç e ke vonuar tre vjet , por ke bërë llogari shumë të gabuara. Sepse me verbërinë  e tij ecën për karrige, ka tre vjet që bllokon statusin e këtij vendi. I erdhi fundi bllokimit brenda 6 muajve. Ndaj dhe i siguroj shqiptarët që nuk i voton ligjet sepse në ligësinë e tij ndaj interesave të qytetarëve shqiptarë ai nuk ka kufij. Ai ndan tërësisht psikologjinë e etërve të tij mizorë, që ne i përmbysëm 22 vjet më parë. Sepse vetëm ajo psikologji, vetëm  ajo politikë ishte vendosur në Shqipëri, as Lindje as perëndim, vetëm kur u prishëm me Kinën. Pra është shumë e dhimbshme që ky zotëri ndërmerr një veprim të cilin nuk e ka ndërmarrë as edhe forca më ekstremiste e një rajonit, një Ballkani me konflikte dhe probleme të shumta, pa lërë me në Evropë. Veprimi i tij është unik ndaj dhe unë ftoj të gjitha agjencitë, të gjitha ministritë të vazhdojnë përpjekjet për të vazhduar standarde të tjera. Sigurisht, procesi i integrimit evropian është një proces kryekëput i përmirësimit të qeverisjes. Në thelbin e tij ai i bën qytetarët më të lirë, më të sigurt, më të mëkëmbur”, theksoi kryeministri. Në këtë kontekst shefi i ekzekutivit i bëri apel të gjithë ministrave dhe ministrive që të vijojnë punën për të realizuar standardet e tjera të kërkuara nga BE. “Pra të gjitha reformat janë të vlefshme të rëndësishme dhe pikërisht se u bënë këto reforma, Komisioni evropian konkludoi që duhet të votoni këto tre ligje në mënyrë që ti jepnim mundësinë këtij komisioni që të bënte rekomandimin përfundimtar mbi statusin. Pikërisht se janë bërë këto reforma, këshilli i ministrave, kërkoi që komisioni ta informoi kur të votohen këto tre ligje, por kjo do të ndodhë pasi të shembet muri i bllokimit që Edi Rama, i cili përpiqet me të gjitha mënyrat apologjinë e Enver Hoxhës dhe figurës së tij, të marrë përgjigjen e merituar nga zgjedhësit e tij”, përfundoi Berisha.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›