Berisha: Opozita po pengon integrimin e vendit – oferta për Ramën, të hartojmë reformën zgjedhore

Kryeministri: Kërkon ndëryshimin e rregullores për të penguar Parlamentin
UPDATE- Kryeministri Sali Berisha ka akuzuar sërish kreun e opozitës Edi Rama se po bllokon reformat në vend si dhe integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Duke folur nga qyteti i Korçës, ku mori pjesë në inaugurimin e disa veprave publike, ku mes tyre dhe aksin rrugor Lapidar - Koritë - Liqenas, investim i qeverisë shqiptare, kryeministri Berisha theksoi se opozita po ndjek një taktikë bllokuese duke mos miratuar asnjë ligj që kërkon 3/5 e votave. “Rama është i vetmi politikan në botë që kalon nga disfata në disfatë. Ne nuk mund t’i bëjmë ligjet si statuti i Partisë Socialiste”- ka theksuar Berisha. Sipas tij, kjo taktikë e opozitës nuk i shërben askujt dhe dëmton procesin e integrimit të Shqipërisë. Kreu i qeverisë ftoi opozitën që të nisin punën për reformën zgjedhore dhe i sugjeroi që të bëjë amendimet dhe t’ia dërgojë ODIHR-it. “Nëse pranohen jemi gati të ulemi për konsensus”, theksoi Berisha. Lidhur me ndryshimin e rregullores së Parlamentit, kryeministri Berisha theksoi se “PS-ja e do ndryshimin e rregullores për të penguar Parlamentin” dhe shtoi se kreu i PS-së, Edi Rama, nuk i do reformat. Duke iu referuar investimeve të Qeverisë, Berisha tha se vitet e ardhshme do realizohen investime të mëdha. “Ne duhet të bëjmë gjithçka për të krijuar sa më shumë të ardhura për familjet korçare, për familjet shqiptare. Ky është edhe qëllimi kryesor i qeverisë”- tha në fjalën e tij Berisha. Duke shtuar më pas se sot Shqipëria renditet e 57-a në botë për mirëqënien e qytetarëve dhe në vendin e 30-të për lirinë ekonomike, ndërsa këto arritje mbërritën falë administrimit të mirë të qeverisë dhe aplikimit të parimeve të ndershme të ekonomisë. “Endrrat nuk mund të ndërtohen në një ditë. Por askush më shpejt se shqiptarët nuk e ndërtojnë ëndrrën e tyre. As Roma nuk u ndërtua në një ditë. Ne së bashku e ndryshuam Shqipërinë, e bëmë anëtare të NATO-s, e bëmë me infrastrukturë moderne, e bëmë që t’i shohin bukuritë e saj mahnitëse qytetarë nga e gjithë bota. Shqipëria, vendi i zhvilluar, ëndrra që do të bëhet realitet”, tha mes të tjerash kreu i qeverisë.
...