E Martë, 3 Nëntor 2026

Berisha: Organizatat kriminale që përfshihen në krime zgjedhore do t’i shpallim organizata terroriste

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha deklaroi sot se do të ndërmerren hapa të fortë për të shpallur organizata terroriste, ato struktura që përfshihen në krime zgjedhore jo vetëm në Shqipëri, por edhe në nivel ndërkombëtar.

Berisha theksoi se vëmendja ndërkombëtare ndaj procesit zgjedhor në Shqipëri është e pashembullt. Berisha përmendi gjithashtu praninë e delegacioneve të OSBE-së në vend, duke shtuar se Europa dhe miqtë ndërkombëtarë “i kanë sytë hapur katërcipërisht”.

“Delegacione nga më të rëndësishme të OSBE-së vizituan Shqipërinë pikërisht për zgjedhjet. Ne kemi dorëzuar emër e mbiemër të të gjitha atyre që po kryejnë krime zgjedhore, por ne i garantojmë se krimi zgjedhor do të quhet krim i rëndë, do të kualifikohet krim i rëndë dhe ky është zotim solemn elektoral dhe se, organizatat kriminale që po angazhohen në krimin zgjedhor, do të bëjmë gjithçka për t’i shpallur organizata terroriste, jo vetëm Shqipëria, por edhe faktori ndërkombëtar.

Presidenti Donald Trump e hapi derën kësaj procedure dhe ai me një urdhër të veçantë shpalli kartelet e drogës, organizata terroriste. Ne do t’i shpallim organizata terroriste dhe do të lobojmë shumë në Europë dhe SHBA që këto të konsiderohen të tilla edhe nga mbarë faktori ndërkombëtar”, tha Berisha.

/r.e//a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›