Rama: PS fiton se ka mbështetje në gurët e poshtëm, skuadra jonë ka 71 % gra dhe vajza

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherazi kryetar i PS-së, deklaroi sot se se Partia Socialiste synon të rrisë numrin e grave dhe vajzave pjesëmarrëse në politikë.
Gjatë takimit të mbajtur, në Dibër, me gratë dhe vajzat e kësaj zone, Rama tha se synimi është që numri i grave në Partinë Socialiste të tejkalojë atë të burrave.
“Kur ne kemi nisur këtë rrugë ka pasur vetëm 15 % gra e vajza, sot janë 40 %. Dhe unë dua që ju dhe të gjitha gratë dhe vajzat të mos ndalen pa e bërë PS-në që të ketë më shumë gra se burra. Nuk dua të ndalemi pa e çuar në 50 mijë e një numrin e grave dhe vajzave në PS”, tha ai.
Rama po ashtu vuri në dukje se drejtimi i dy bashkive të qarkut të Dibrës, Bulqizës dhe Matit nga dy gra ishte zgjedhja e duhur.
Sipas tij, sot këto dy bashki nën drejtimin e këtyre dy grave janë transformuar rrënjësisht.
Kreu i PS-së, vuri në dukje se përfshirja e grave në politikë nisi nga këshillat bashkiakë.
“E kemi filluar përpjekjen tonë për të hapur rrugën për gratë nga këshillat bashkiakë. Në 2011-ën ishin vetëm 12% gra e vajza, në 2013 35%, në 2019 arritën 43%, ndërsa në 2023 ishin 50% gra e vajza dhe ka qenë PS që e ka vënë kusht rritjen e numrit të grave dhe vajzave”, deklaroi Rama.
Sipas Ramës, skuadra e PS ka 71 % gra dhe vajza.
“Mua më vjen për të qeshur kur i dëgjoj që thonë se PS fiton se i vjedh votat apo se mbështetet nga të “fortët”. Ne fitojmë sepse kemi në mbështetje gurët e poshtëm. Ne fitojmë se kemi me vete shumicën e grave dhe vajzave. Më e thellë do të jetë fitorja e 11 majit”, tha Rama.
Ai u bëri thirrje vajzave dhe grave të marrin me vete edhe gra e vajza të tjera ditën e votimit.
Nga ana tjetër, Rama tha se më shumë gra dhe vajza janë pjesë sot edhe e Policisë së Shtetit dhe Forcave të Armatosura.
“Kur ne erdhëm në detyrë, në Policinë e Shtetit, me uniformë më pak se 5% ishin gra e vajza. Dhe ishin të lëna nëpër cepa. Sot, ne faktikisht e kemi trefishuar numrin e grave dhe vajzave në Policinë e Shtetit dhe kanë dalë edhe në patrullën e përgjithshme dhe janë përfaqësimi më dinjitoz i joni. Në Forcat e Armatosura, kemi gjetur më pak se 10 % gra dhe vajza me uniformë. Sot janë dyfishi dhe 22 % e tyre me gradë oficeri”, u shpreh Rama. /j.p/