E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: PD do të mobilizojë çdo potencial për integrimin e Shqipërisë në BE

Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka theksuar angazhimin e partisë për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Europian. Ai garantoi se PD do të mobilizojë çdo potencial dhe do të miratojë çdo ligj dhe reformë në funksion të këtij procesi.

Sipas Berishës, dallimi midis alternativës së PD-së dhe qeverisë ekzistuese qëndron në faktin se PD e bazon procesin e integrimit në meritë, shtetin ligjor dhe ekonominë e tregut.

“Ju garantoj se për PD-në, interesi më madhor kombëtar është integrimi i Shqipërisë në BE. Kur them këtë, them që ajo do mobilizojë çdo potencial, do miratojë çdo ligj, do ndërmarrë çdo reformë në funksion të këtij procesi. Por, ka një dallim esencial midis alternativës tonë dhe kësaj të qeverisë ekzistuese. Në këtë proces e bazojmë si një proces të bazuar mbi meritën, e funksionimit të shtetit ligjor dhe ekonomisë së tregut. Kur erdhëm në pushtet në vitin 2005, ne shpallëm anëtarësimin në NATO dhe fillimisht njerëzit përqeshnin me zotimin tonë”, tha Berisha.

Berisha kujtoi se kur Partia Demokratike mori pushtetin në vitin 2005, ajo shpalli anëtarësimin në NATO dhe arriti ta realizonte këtë qëllim përmes luftës ndaj krimit dhe korrupsionit dhe me reformat e ndërmarra.

“Ne arritëm të bindnim çdo partner dhe çdo vend me zero tolerancë luftë ndaj krimit dhe korrupsionit dhe me reformat që ndërmorëm, sepse e përgatitëm vendin për anëtarësim në NATO. Po kështu me reforma, me funksionimin e ekonomisë së tregut dhe shtetit ligjor, absolutisht vetëm mbi bazën e reformave, ne arritëm të firmosim Marrëveshjen e Stabilizim Asociimit, të liberalizojmë vizat. Pra, ne çdo gjë e arritëm me meritë. Arritëm të marrim edhe rekomandimin e statusit të kandidatit nga KE, që e bllokoi Edi Rama me tre ligje në parlament”, tha ai.

/rtsh.al/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›