E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD do të përdorë çdo mjet kundër “Territoriales“

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka akuzuar kryeministrin Edi Rama se, përmes reformës së re territoriale, ka goditur qeverisjen vendore dhe interesat e qytetarëve. Gjatë bashkëbisedimit me qytetarët në rrjetet sociale, Berisha e cilësoi votimin për shkrirjen e 15 bashkive si një akt në kundërshtim me Kushtetutën dhe parimet ndërkombëtare të qeverisjes vendore. Ai paralajmëroi se PD do të ndjekë rrugën ligjore, por edhe do të përdorë çdo mjet kundër këtij vendimi.

“Nuk kanë të ndalur rekordet kriminale të kësaj qeverie. Siç e patë në një akt papërgjegjshmërie, organizata kriminale votoi jashtë çdo kondicioni ligjor dhe kushtetues, jashtë parimeve ndërkombëtare të qeverisjes vendore, asgjësimin e 15 bashkive të vendit. Me këtë veprim, të ashtuquajtur deputetë të Partisë së Krimit, dëshmuan para shqiptarëve dhe botës se për ata interesat e qytetarëve të Libohovës, Këlcyrës, Memaliajt, Divjakës, Patosit, interesat e qytetarëve të Klosit, Prrenjasit, Cërrikut, Dumresë, Fushë-Arrëzit dhe të gjitha bashkive që u asgjësuan, janë zero. Me këtë akt, padrinoja i Shqipërisë dëshmoi se Kushtetuta e vendit dhe parimet ndërkombëtare mbi të cilat ndërtohet qeverisja vendore nuk kanë asnjë vlerë, përveç interesave të tij.

Harta e qeverisjes vendore që paraqiti PD me 100 njësi plus ishte harta më e studiuar, që i jepte përgjigje shpopullimit masiv që po ndodh në Shqipëri. Kjo hartë e tmerroi Edi Ramën. Ai jo vetëm që nuk e pranoi këtë hartë, por asgjësoi dhe 15 bashki të tjera. I dëgjuat deputetët e krimit që kanë interesa kriminale, se si mashtronin duke thënë se kanë vendosur një bashki me 13 mijë banorë. Sukthi, Manza dhe Ishmi, në një rreze prej 15 km nga Durrësi, kanë 105 mijë banorë. Kanë banorë sa për minimumin e shtatë bashkive që pretendojnë mashtruesit. Por ato janë asgjësuar.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›