E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD do të vijojë betejën ligjore kundër shkrirjes së 15 bashkive, firma për referendum

Kryetari i PD-së, Sali Berisha, deklaron se Partia Demokratike do të vijojë betejat ligjore kundër asaj që e cilëson si “ekzekutimi i 15 bashkive”, pas votimit të reformës territoriale në Kuvend.

Në një reagim përmes zyrës së shtypit, Berisha e cilëson votimin e zhvilluar në orët e para të mëngjesit si një akt të paprecedentë dhe njofton se PD ka nisur mbledhjen e firmave për referendum.

“Nuk ka ndodhur ndonjëherë një votë e tillë më inkriminuese se sa mbrëmë në orën 1 e gjysmë të natës.

Duke dënuar me forcën më të madhe këtë akt, PD deklaron se do vazhdojë çdo betejë ligjore kundër ekzekutimit të 15 bashkive dhe për projektin e saj 100 bashki plus.

Në këtë kuadër, ne kemi nisur mbledhjen e firmave për referendum.

Do të studiojmë të gjitha modalitetet e referendumeve lokale dhe kombëtare, me të cilat ne kemi bindjen më të thellë se mbrojmë interesat e qytetarëve shqiptarë nga një bandë, nga një organizatë kriminale që quhet parlament”, thuhet në deklaratën e Partisë Demokratike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›