Kushtetuesja rrëzon ‘detyrimin për paraqitje’ të Berishës, qeveria do paguajë shpenzimet

Gjykata Kushtetuese pranon pjesërisht ankimin e Berishës, shfuqizon vendimin e Gjykatës së Lartë dhe kthen çështjen për rishqyrtim
Gjykata Kushtetuese ka pranuar pjesërisht ankimin e kryetarit të PD-së, Sali Berisha, duke shfuqizuar vendimin e Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë, të datës 22 prill 2025, dhe duke e kthyer çështjen për rishqyrtim në këtë gjykatë.
Berisha kishte kërkuar shfuqizimin si të papajtueshme me Kushtetutën të vendimit nr. 1, të datës 3 janar 2025, të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, si dhe të vendimit nr. 00-2025-658, të datës 22 prill 2025, të Kolegjit Penal të Gjykatës së Lartë.
Në përfundim të shqyrtimit, Gjykata Kushtetuese, me shumicë votash, vendosi pranimin e pjesshëm të kërkesës dhe shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Lartë, si të papajtueshëm me Kushtetutën.
Gjykata vendosi gjithashtu që çështja të dërgohet për rishqyrtim në Gjykatën e Lartë. Shpenzimet e përfaqësimit të Berishës, në vlerën 60 mijë lekë, do të përballohen nga Ministria e Financave.a.b