E Hënë, 2 Nëntor 2026

Berisha: PD kundër çdo forme diskriminimi gjinor

TIRANË, 6 nëntor /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot në Kuvend se është kundër ndryshimeve të propozuara në ligjin “për barazinë gjinore”

Në fjalën e tij, pas propozimi të kreut të grupit të PS për të ndërprerë seancën dhe për të kaluar në votim pa debat për ligjin për barazinë gjinore, Berisha u shpreh se, “as dje, as sot, dhe gjer në minutin e fundit të jetës sime, përveç atij që sheh gjithësinë, njeri tjetër mbi tokë nuk mund të vendosë censurë kundër Sali Berishës”.

Duke iu rikthyer deklaratës ndaj ambasadorit të Bashkimit Europian në Shqipëri, Silvio Gonzato, Berisha tha se, po përdoret nga mazhoranca për të mbuluar ligjin për barazinë gjinore.

“Ju shpallni fyerje një përsëritje të deklaratës së një personi që unë iu drejtova me të nderuar këtu. Po si bëheni kështu, mor? Ju bëheni personazhe mjerane. Ju kërkoni të mbuloni me këtë një ligj, i cili i ve kazmën familjes shqiptare. Si do të shkoni ju tek fëmijët tuaj, që keni votuar, kur t’i çoni ata në kopsht dhe në qoftë se djali do të zgjedhë tullumbacin e verdhë të marrë hormonet për të ndryshuar gjininë”, tha Berisha.

Berisha u shpreh se, familja ka qenë mburoja më e fuqishme e këtij kombi.

“Si do të paraqiteni ju tek familjet tuaja, kur ne kemi patur 1000 probleme, por kemi patur 1 familje, e cila ka qenë mburoja më e fuqishme e këtij kombi ndaj çdo të keqeje që i ka ardhur, ndaj të gjitha pushtimeve, nënat tona u rritën të pastër gjaku, dhe ne mbetëm këta që jemi. Kjo familje mbrojti  shqiptarët nga një katastrofë e tmerrshme që u krijua pas daljes nga diktatura. Qindra e mijëra prej tyre rendën në vende të ndryshme duke ndarë kafshatën me shqiptarët këtu, dhe ju na dilni tani dhe predikoni këtu identitetet me diversitet të madh gjinor. Predikoni këtu, standarde që nuk i ka asnjë vend i BE”, tha Berisha.

Berisha ftoi deputetët e mazhorancës që të miratojnë ligjin e gjendjes civile.

“Të miratojmë ligjin e gjendjes civile dhe ne të pranojmë të sanksiononi gjininë binare, burrë-grua, mashkull-femër, siç e ka Kushtetuta”, tha Berisha.

“Aty ku thuhet, përkatësi e shumëfishtë, aty e shumëzon me 2, 3, 5 e kush e merr vesh se sa gjininë. Aty ku thuhet, diversitete të shumta, aty e çon në pafundësi, aty shndërrohesh në eksperiment, futje në eksperiment për dekonfigurimin e plotë të shoqërisë shqiptare”, tha Berisha.

Berisha theksoi se, Partia Demokratike është e përcaktuar absolutisht kundër çdo forme diskriminimi gjinor dhe ka votuar një ligj ndër më të mirët që ekziston.

“Kurse, ligji i sotëm është një ligj që përmbys rendin juridik të Shqipërisë, kushtetutën e vendit në një seri nenesh, kodet e vendit që përbëjnë bazën e sistemit juridik, dhe ligje të tjera”, theksoi Berisha.

/gj.m/a.f/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›