Pr.buxhetin 2026, opozita kërkon paketën fiskale: Duhet transparencë si do mblidhen të ardhurat. Balla: Buxheti më i madh në histori

Seanca e Kuvendit ka nisur me debate të ashpra mes mazhorancës dhe opozitës lidhur me miratimin e kalendarit të posaçëm për diskutimin e Projektbuxhetit të vitit 2026.
Në Konferencën e Kryetarëve palët nuk arritën dakordësi, pasi mazhoranca kërkoi të vijojë procedura sipas afateve ligjore për shqyrtimin e buxhetit, ndërsa opozita kërkoi që diskutimet të shoqërohen edhe me paketën fiskale, siç përcaktohet nga rregullorja e Kuvendit.
Pavarësisht kundërshtive të opozitës, kalendari i punimeve për projektbuxhetin 2026 u miratua vetëm me votat e mazhorancës.
Mazhoranca argumenton se buxheti i ri është më i madhi në historinë e vendit dhe synon rritjen e pagave dhe pensioneve, ndërsa opozita e ka cilësuar atë si një buxhet “të pabalancuar dhe pa transparencë mbi të ardhurat”.
Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Ministri i Financave ka bërë prezantimin zyrtar të projektbuxhetit në Konferencën e Kryetarëve, sipas rregullores parlamentare.
“Në emër të grupit të PS dua të përgëzoj qeverinë për sjelljen në kuvend jo vetëm të buxhetit më madh në historinë e Shqipërisë por mbi të gjitha për faktin se kjo shumicë e mbajtën fjalën që u dhanë pensionistëve dhe që populli shqiptar na besoi më 11 maj për të rritur me këtë buxhet pensionet dhe pagat. Ministri i Financave beri prezantimin siç përcakton rregullorja në Konferencën e Kryetarëve dhe i ftoj kolegët ta miratojmë kalendarin e posaçëm të këtij buxheti 2026,” u shpreh Balla.
Por opozita reagoi me tone të ashpra. Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa, kritikoi mënyrën e paraqitjes së buxhetit, duke pretenduar se ai nuk shoqërohet me paketën fiskale, siç kërkohet nga rregullorja, ndërsa e cilësoi si “buxhetin e vjedhjes së madhe”.
“Në këtë parlament ndodh një çudi vjen pr.buxheti 2026 nuk shoqërohet siç e kërkon rregullorja me paketën fiskale. Këtu vijën si do shpenzohen paratë por nuk vjen se si do të mblidhen këto para dhe nga do të vijnë që ne të kuptojmë do një buxhet të balancuar apo kemi një buxhet që do të kërkojë një deficit të tepruar. Këto nuk zbatojnë rregulloren, ne jemi kundër këtij buxheti të vjedhjes së madhe që nuk nxjerrë shqiptarët nga varfëria dhe i jep më shumë para koncesionarëve. Doni ti kaloni këto para pa paketë fiskale që vetëm të vidhni”, tha Zhupa.
/rtsh.al/