E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PD nismë për uljen e moshës së votimit në 16 vjeç

11-03-2013 / Gazeta 55

Partia Demokratike do t’i kërkojë zyrtarisht Partisë Socialiste që të diskutojnë mbi uljen e moshës nga 18 në 16 vjeç për të rinjtë për të votuar në zgjedhjet parlamentare të 23 qershorit.
E kërkuar nga të rinjtë si një dëshirë për të qenë pjesë e përzgjedhjes së përfaqësuesve në Kuvend, ka detyruar kreun e mazhorancës që ta parashtrojë si një çështje diskutimi mes partive parlamentare. “Zoti Patozi të drejtojë ftesë zyrtare zotit Ruçi. Nuk ka vështirësi teknike, sepse gjithçka e kemi automatike për listat e votimit, mjafton vullneti politik dhe në një kohë prej disa orësh prodhohen listat që përfshijnë gjithë 16 vjeçarët e vendit. Uroj që negociatat tuaja të ecin në frymën e duhur pa politizime dhe partitë të jenë të prirura në aktin që vetëm e fisnikëron procesin e votimit, edhe mbi 100 mijë qytetarë të ri i shtohen votimeve”, u shpreh Berisha.
Pak më shumë se 3 muaj na ndajnë nga zgjedhjet, dhe kryetari i mazhorancës kërkon ndryshimin e Kushtetutës dhe të Kodit Zgjedhor. E legjitimon edhe tradita. “Pushka i jepej 16 vjeç, por tani nuk është më koha e pushkës, tani vota jepet 16 vjeç, edhe nusja jepej 16 vjeç”, u shpreh me nostalgji Kryeministri.
Kreu i qeverisë kërkoi që debati që po zhvillohet në shtete të tjera, së fundmi dhe në Bitaninë e madhe të nisë dhe në Shqipëri.
Lista e votuesve do të shtohej me të paktën 100 mijë zgjedhës të rinj. Na takon si komb i ri, -  tha Kryeministri, - kur solli në vëmendje se 12% e popullatës është mbi moshën 65 vjeç.
Më pas foli për reformat që qeveria ka sjellë në Kuvend këtë javë. Një ndër to ligji i urbanistikës. I shërbeu për të bërë një tjetër premtim për mandatin e ardhshëm
“Qeveria e mandatit të ardhshëm do të ketë Plan të Përgjithshëm Rregullator të të gjithë republikës, zotimi për urbanistikën e shekullit”, deklaroi Berisha.
Kryeministri Berisha tha se reformat e ndërmarra dhe ato që do votohen prekin në mënyrë pozitive interesat e çdo qytetari.
“Mendjen e keni pas çdo vote dhe aty duhet mbajtur, por konsiderojini ato si rëndësi jetike për katër vitet që vijnë”, nënvizoi shefi i mazhorancës. 

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›