Ekrem Spahiu: Opozita i kundërvihet Shqipërisë dhe integrimit
PLL çel fushatën elektorale dhe prezanton kandidatin e saj për deputet
Partia Lëvizja e Legalitetit (PLL), çeli fushatën elektorale në qarkun e Kukësit.
Në takimin entuziast të organizuar në sallën e madhe të pallatit të kulturës “Hasan Prishtina”, merrnin pjesë qindra mbështetës të saj, përfaqësues të partive politike të djathta etj.
Kryetari i PLL-së, Ekrem Spahiu në fjalën e tij vuri në dukje se, “me Kukësin nisim takimet elektorale që do të vazhdojnë në mbarë vendin. Këtu në Kukës kemi ndër degaët më të mira, kemi komunën e Bushtricës dhe këshilltarë të shumtë në pushtetin vendor”. Kreu i legalistëve, duke vlerësuar punën e bërë nga koalicioni i djathtë gjatë dy mandateve qeverisëse vuri në dukje se, “kemi të drejtë të dalim të kërkojmë votën për një mandat tjetër pasi kemi realizuar premtimet e bëra”. Sipas tij, “do të kishim sot edhe statusin e kandidatit për në BE po të mos kishim një opozitë që i kundërvihet Shqipërisë dhe shqiptarëve”.
Ndërsa duke vënë theksin në zgjerimin e nacionalizmit Spahiu theksoi se, “sot kemi edhe Kosovën e pavarur. Bashkimi kombëtar është një e drejtë legjitime e shqiptarëve”. Kryetari i PLL-së prezantoi edhe kandidatin e kësaj force politike për në parlamentin shqiptar. “Kanditatura e Sokol Nelës është kandidatura më dinjitoze në qarkun e Kukësit nga forcat politike”, theksoi Spahiu.
Po ashtu ai bëri të njohur edhe sloganin e kësaj force politike gjatë kësaj fushate: Dua traditën. Familje, qeverisje, Shqipëri etnike. Kandidati për deputet i kësaj partie, Sokol Nela falënderoi mbështetësit e tij dhe të koalicionit të djathtë me Sali Berishën në krye. “Të gjithë sa bashku të kontribuojmë edhe më shumë për zhvillimin e Kukësit e të trevave të tjera të verilindjes. Nuk do të jem deputeti i juaj, por misionar i juaj”, theksoi Nela.
Takimin e përshëndeti në emër të partive të koalicionit të djathtë prefekti Elez Maci. “Uroj për fitorën e PLL-së që na ka mbështetur gjithnjë. Duhet të jemi së bashku në vazhdimin e misionit për realizimin e të gjitha premtimeve që I kemi bërë elektoratit”, tha Maci.
Ndërsa presidenti i klubit të futbollit të Kukësit, Safet Gjici në përshëndetjen e tij theksoi se do të punojmë edhe më shumë që PLL të zërë vendin që meriton në parlamentin shqiptar. I gjithë takimi u përshkrua nga entuziazmi dhe besimi i legalistëve se në këto zgjedhje do të mund të sigurojnë hyrjen në parlamentin e ri shqiptar.