E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha: PD nuk e bojkoton Kuvendin, të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë

TIRANË, 24 gusht/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha deklaroi sot se PD nuk do e bojkotojë Kuvendin, ndërsa u shpreh se “të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë”.

Në një konferencë për shtyp, Berisha u shpreh se PD e ka të përjashtuar me statut bojkotin.

“Natyrisht, të gjitha qëndrimet e tjera janë në tryezë përveç bojkotit. Bojkot ne nuk bëjmë, ne jemi të përcaktuar. Në qoftë se nuk shkojmë në një seancë, nuk marrim pjesë në dy seanca, këto nuk janë bojkote, janë krejt tjetër. Por ne vendim për t’u larguar nga parlamenti nuk marrim”, u shpreh ai.

Duke folur për organizimin e partisë, Berisha u shpreh se “ripërtëritja është proces i gjithanshëm i PD-së dhe partia do të rikthehet tek anëtarët dhe mbështetësit”.

“Ripërtëritja, është një proces i gjithanshëm i kësaj partie. Në rastin konkret, komunikimi, roli, hapësirat për anëtarin dhe mbështetësin e PD, do të jenë objektivat më të afërta të saj. Pra, janë bërë studime të rëndësishme, janë nxjerrë konkluzione dhe mbi bazën e tyre do të ndodhë ajo që ne e kemi quajtur Ripërtëritje. Por në rastin konkretin partia rikthehet tek anëtarët, mbështetësit, roli, funksionet, idetë, veprimtaritë e tyre”, theksoi ai.

Sipas Berishës, “PD ka potenciale të mëdha njerëzore dhe këto potenciale duhen shndërruar në kapitale dhe vlera”.

Por nga ana tjetër Berisha pranoi se një nga dobësitë e PD-së janë rrjetet sociale.

“Ka filluar të ndryshojë, dhe kjo do ndryshojë pa diskutim. Por nuk kemi të bëjmë këtu me rrjetet sociale, jo. Kemi të bëjmë me një proces universal të pranimit të vlerësimit të veprimtarisë, e cila është kusht madhor për të vlerësuar funksionimin tërësor të partisë.
Pra, gjithçka synohet, një ripërtëritje e funksionalitetit të PD. Janë gjëra të lidhura njëra me tjetrën”, shtoi ai.

Berisha informoi se është bërë një debat me grupe pune dhe këto nuk kanë qëllim kontrollin si të tillë, por kanë qëllim hapësirën për secilin drejtues, anëtar dhe mbështetës të PD për të shfaqur dhe për të ushtruar veprimtarinë e tij.

“Ne besojmë se rruga e shndërrimit të potencialeve në vlera dhe kapital është kjo.
Ne besojmë se kemi potenciale të mëdha njerëzore, vlera të mëdha, por këto potenciale duhet të shndërrohen në kapitale dhe vlera”, tha ai.

Lidhur me procesin e vlerësimit të performancës së drejtuesve politik apo kryetarëve të  degëve, Berisha sqaroi se do ndiqen të gjitha standardet ndërkombëtare të përdorura nga partitë më demokratike në Evropë dhe në botë, të cilat nuk synojnë as kryqëzimin, as përjashtimin, por synojnë para së gjithash hapësirën në të cilën secili të tregojë veten me veprimtarinë e tij.

“Është një proces i thellë transformues i kësaj partie. Partia duhet të ndryshojë dhe do të ndryshojë. Ky ishte verdikti i Kuvendit kombëtar me votimin e tij, me forumet që zgjodhi, por ai është vetëm hapi i parë. Ky është një proces që duhet të vazhdojë”, shtoi ai.

/m.m/r.e/ /a.g/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›