Rama: Plan transparence për çmimet e ushqimeve bazë, prioritet Shqipëria sociale

TIRANË, 24 gusht /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se qeveria po punon për një sërë objektivash në sektorë të ndryshëm, duke vendosur në fokus shëndetësinë, arsimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës së qytetarëve.
Pas mbledhjes me ministrat e kabinetit qeveritar në Pogradec, Rama tha se synimi është krijimi i një zinxhiri të “Shqipërisë sociale”, duke theksuar se mundësitë për realizimin e këtij objektivi janë më të mëdha se më parë.
“Kemi po ashtu përcaktuar një sërë piketash për çdo sektor. Jemi përqendruar shumë te shëndetësia, jemi përqendruar shumë tek arsimi. Jemi përqendruar te krijimi i një zinxhiri i cili do të jetë zinxhiri i Shqipërisë sociale. Sot një Shqipëri sociale është jo thjesht e rëndësishme, sepse ka qenë gjithmonë, por fillon të bëhet e mundur më shumë se deri më sot sepse janë shtuar mundësitë. Një Shqipëri sociale në gjërat që lidhen drejtpërdrejt me cilësinë e jetës së qytetarëve. Sot është më shumë sesa çfarë ishte në të shkuarën mbijetesa, sot është cilësia e jetës”, tha Rama.
Një tjetër çështje që preku kreu i qeverisë ishte ajo e çmimeve të produkteve ushqimore bazë. Rama tha se qeveria nuk synon përcaktimin e çmimeve nga shteti, por një mekanizëm që do t’u mundësojë qytetarëve më shumë transparencë.
“Kemi folur për çmimet, natyrisht. Kemi një plan për këtë. Jetojmë në një sistem ku nuk kemi asnjë eksperiencë, asnjë praktikë të përcaktimit të çmimeve nga shteti, se kjo është e pamundur. Por kemi një plan për të bërë transparencë për qytetarin lidhur me çmimet e ushqimeve bazë. Plan të cilin do ta prezantojmë më herët sesa vonë në momentin kur të jetë i konsoliduar plotësisht me detaje. Ashtu sikundër edhe një sërë, siç thashë, komponentësh të tjerë të programit”, tha Rama.
/m.q/j.p/re/