E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha PRANON krizën, merr vendim për të disiplinuar shpenzimet buxhetore

Berisha ndalon punësimet në administratë dhe kërkon që çdo prokurim fondesh të miratohet nga Ridvan Bode. Nuk ka më festa, shpërblime, dieta, udhëtime jashtë shtetit, seminare apo trajnime për administratën

Nuk ka më punësime në administratë, asnjë prokurim i fondeve të buxhetit nuk do kalojë pa u marrë më parë miratimi i Ridvan Bodes, nuk ka udhëtime jashtë shtetit, ngrijnë dietat dhe trajnimet e seminarët tani janë të ndaluara. Të gjitha veprimtaritë social- kulturore dhe shpërblimet bllokohen. Ky është vendimi më i fundit i qeverisë shqiptare. Edhe pse ishte vendimi më i rëndësishëm i kësaj dite, kryeministri Sali Berisha nuk foli për asnjë moment për të, por hidhej sa dega në degë duke folur për çfarë i vinte ndërmend, duke nisur që nga ndarja e degëve të gjuhës dhe letërsisë (dikush duhet ti thotë se kjo ndarje është bërë) e deri tek kasat fiskale. Vendimi tregon edhe njëherë se arka e shtetit është në pikë të hallit, por qeveria është e vetmja që nuk e pranon krizën e rëndë.

VENDIMI

1. Pas datës 7 shtator 2012, botimi i çdo lloj njoftimi, përjashtuar njoftimin e kontratës së nënshkruar për prokurim të fondeve buxhetore për shpenzime operative të njësive të qeverisjes qendrore, sipas përcaktimeve në ligjin nr.9643, datë 20.11.2006, Për prokurimin publik, të bëhet me miratimin e ministrit të Financave, pas vlerësimit të burimit të financimit.

Përjashtohen nga ky rregull fondet buxhetore, që shkojnë për shërbimin e ushqimit apo medikamenteve në ato njësi të qeverisjes qendrore, në të cilat kryhet ky shërbim, blerjet e vogla emergjente, të cilat nuk janë objekt prokurimi.

2. Masa e mbulimit të shërbimit të telefonisë celulare të reduktohet 20%, për çdo përfitues sipas përcaktimeve të vendimit nr.864, datë 23.7.2010, të Këshillit të Ministrave, Për pajisjen me numër telefoni celular të personave juridikë publikë.

3. Çdo funksion në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, i miratuar në organikë dhe i paplotësuar ende, të ngrijë deri në fund të vitit. Përjashtohen nga ky kufizim vendet e paplotësuara, për të cilat është realizuar konkursi, si dhe raste tepër specifike, për të cilat merret miratimi i ministrit të Financave.

4. Kërkesat për inicimin e akteve të Këshillit të Ministrave për miratimin e punonjësve me kontratë të përkohshme në njësitë e qeverisjes qendrore pezullohen.

5. Fondi i veçantë, i planifikuar në njësitë e qeverisjes së përgjithshme, nuk përdoret për veprimtari social – kulturore dhe shpërblime deri në datën 5 dhjetor 2012.

6. Shpenzimet për udhëtim e dieta jashtë vendit për njësitë e qeverisjes së përgjithshme të reduktohen, nëpërmjet minimizimit të udhëtimeve, përjashtuar ato të një rëndësie të veçantë dhe, vetëm për një numër të kufizuar punonjësish. Në çdo rast, për kryerjen e këtyre udhëtimeve të merret miratimi i ministrit/titullarit të institucionit qendror. Në rastin e pjesëmarrjes në konferenca apo aktivitete, për të cilat paguhet tarifë pjesëmarrjeje, merret paraprakisht miratimi i ministrit të Financave.

7. Trajnimet/seminaret/kurset jashtë vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, bllokohen.  

8. Fondet buxhetore të papërdoruara deri në miratimin e këtij vendimi për trajnimet/seminaret/kurset, përfshirë këtu edhe trajnimet e ITAP-it brenda vendit për nëpunësit e njësive të qeverisjes së përgjithshme, të parashikuara për tu mbuluar plotësisht apo pjesërisht me fondet buxhetore të miratuara për vitin 2012, të reduktohen në masën mbi 50% .

9. Ngarkohen të gjitha institucionet e njësive të qeverisjes qendrore dhe qeverisjes së përgjithshme për zbatimin e këtij vendimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›