E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha: PS ka më shumë vota, unë kam pushtetin

 

Lideri i mazhorancës ka bërë të ditur se kryetarët e partive të vogla nuk mund të bëhen kryeministra

Kryeministri Sali Berisha për herë të parë që nga fitorja e së djathtës në 3 korrik të vitit 2005 ka pranuar se opozita ka më shumë vota reale sesa e djathta, edhe pse kjo e fundit ka pushtetin. Duke mbrojtur paketën e ndryshimeve kushtetuese, lideri i mazhorancës ka vënë theksin tek domosdoshmëria e ndryshimit të sistemit zgjedhor, pasi sistemi mazhoritaro-proporcional është, sipas tij, një sistem që "pjell" shtrembërime të konsiderueshme të votave dhe lë mundësi për zbatimin e fenomenit të Dushkut. Shtrembërime nga të cilat Berisha ka pranuar se ka përfituar edhe ai vetë. "A nuk është ky që na bëri qesharak ngado që shkonim?. Një lokalitet të ndershëm të Lushnjes e bëri të famshëm në gjithë botën. A nuk jemi ne që e ngjyem kafshatën me këtë? Të kthejmë faqen, sepse jemi vend që kemi marrë ftesën në NATO. E shijuam si e shijuam, shtyjeni tani. Ne jemi në politikë, për t'u ndarë nga ato që nuk shkojnë. Këta (Partia Socialiste) kanë marrë më shumë vota se unë, por këtu jam unë në pushtet. Kjo është e vërtetë, nuk i mohoj gjërat. Unë që jam në pushtet, çfarë leverdie personale kam për të ndërruar sistemin? Ka interesa vendi, pasi ne ndahemi me Dushkun", - u shpreh kryeministri Berisha në fjalën e vet. Ndërkohë që duke iu referuar ndryshimeve në nenet 104 dhe 105 të Kushtetutës për mocionin e besimit dhe mosbesimit ndaj qeverisë, Berisha ka theksuar se për këto ndryshime duhet të jenë të interesuar vetëm dy partitë e mëdha, të cilat për shkak të peshës politike do të kenë gjithmonë të drejtën e zgjedhjes së kryeministrit. Me këtë ai i ka përcjellë dhe një mesazh të qartë edhe kryetarit të LSI-së, Ilir Meta, i cili shpeshherë gjatë kohëve të fundit ka bërë pjesë të betejës së tij politike dhe synimin për karrigen e kryeministrit. "Ju jeni kontradiktorë. Njëherë thoni që ky ka gjithë pushtetin, pastaj thoni që po e merr gjithë pushtetin. Unë nuk punoj për kryetarin e PS dhe kryetari i PS nuk punon për Sali Berishën. Ky është rregulli. Çfarë kujtoni ju, se kryetarët e partive të vogla do bëhen kryeministra? Nuk ndodh në ndonjë vend të botës kjo. Kam respekt për ju, por nuk mund të ndodhë kurrë, që një populli të lirë t'i ndodhë kjo. Pse i bëni këto? A po ecim përpara, apo po shkojmë mbrapa? Ti lëmë iluzionet. Ju që na akuzoni, bëhuni parti kryesore dhe pretendoni për postin e Kryeministrit", - u shpreh në fjalën e vet mbajtur në seancën e djeshme plenare kryeministri Sali Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›