E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi miratoi mbrëmë paketën e ndryshimeve kushtetuese

 

Deputetët që votuan kundër reformës zgjedhore dhe zgjedhjes së Presidentit me shumicë të thjeshtë

TIRANË- Ndryshon për të dytën herë ligji themeltar i shtetit, Kushtetuta. Me 115 vota pro, 17 kundër dhe 3 abstenime, Kuvendi ka miratuar dje paketën e ndryshimeve kushtetuese të paraqitur në formën e projektligjit "Për disa ndryshime në Kushtetutë". Në këtë mënyrë Kuvendi ka votuar për një sërë ndryshimesh ku ndër më kryesoret janë ato për ndryshimin e sistemit zgjedhor nga mazhoritaro-proporcional në proporcional-rajonal me lista të mbyllura si dhe për sanksionimin e zgjedhjes së Presidentit të Republikës me 70 plus 1 për qind të votave në raundin e katërt dhe të pestë.

Seanca

Mbledhja e djeshme e Kuvendit më shumë se një seancë normale, për shkak të diskordancave të mëdha në qëndrime midis partive të mëdha dhe atyre të vogla për një pjesë të mirë të ndryshimeve kushtetuese, është kthyer në një maratonë negociatash, ku kryeministri Sali Berisha është përpjekur që të bindë aleatët e vet, që të votojnë pro tyre. Menjëherë pas largimit të Presidentit kroat Stipe Mesic nga salla e Kuvendit, kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka ndërprerë seancën, për ti lënë kohë gjetjes së një mirëkuptimi edhe nga të "vegjlit". Kryeministri Berisha me ndërmjetësinë edhe të ministrit të tij të Financave, Ritvan Bode ka thirrur në takime te veçanta krerët e partive të djathta për mbështetjen e dy neneve më problematike, 2 dhe 5, nene që kanë të bëjnë pikërisht me sistemin zgjedhor dhe zgjedhjen e presidentit. Më pas seanca ka vijuar me diskutime, ku deputetë të ndryshëm, kryesisht përfaqësues të partive të vogla kanë kundërshtuar prekjen e kushtetutës. Ndërkohë që dy partitë e mëdha, kryeministri Berisha dhe kryetarja e grupit parlamentar socialist Valentina Leskaj kanë këmbëngulur se paketa e ndryshimeve kushtetuese është një domosdoshmëri që e sjell koha dhe se me këto ndryshime Kushtetuta e Shqipërisë bëhet më perëndimore. Për këtë arsye, ata kanë ftuar të gjithë deputetët që ta votojnë "pro", si një shërbim i vyer për demokracinë në vend.

Votimi

Kalimi i amendamenteve ndryshe nga sa pritej, për shkak të oponencës së një pjese të mirë të deputetëve edhe brenda PD-së, duket se ka kaluar pa shumë vështirësi. Neni 2 dhe neni 5 i projektligjit në fjalë kanë marrë më pak vota pro. Neni 2 që ka të bëjë me ndryshimin e sistemit zgjedhor, për shkak edhe të kundërshtimit të një pjese të mirë të partive të vogla, ka mundur që të marrë vetëm 113 vota pro. Ndërkohë që edhe neni 4, i cili përcakton kandidimin me lista të mbyllura shumëemërore, ka marrë vetëm 112 vota pro. Për një nen tjetër, ai për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë, kanë votuar kundër edhe një pjesë e mirë e deputetëve të djathtë, si Ngjela, Shehu, Leskaj, Sula, Gjergji, e Madhi. Ka rënë në sy mospjesëmarrja në votim edhe pse ishin prezentë e kryetarit të PR-së, Fatmir Mediu, PDK-së Nard Ndoka dhe atij të LSI-së Ilir Meta.

***

Avokat Spartak Ngjela argumentoi votën kundër paketës kushtetuese

Ngjela: Neni 87, përpjekje për rrëzimin e Presidentit

TIRANË- Avokat Spartak Ngjela e ka thënë hapur dje votën e tij kundër paketës kushtetuese. Duke bërë një analizë të detajuar për përmbajtjen e këtij drafti, Ngjela është shprehur se këto ndryshime kaluan pa asnjë ekspertizë ligjore, duke shtuar se ky është agresion i madh kundër lirisë. Avokat Ngjela ka vënë pikëpyetje të mëdha ndaj pikës më të debatueshme, që lidhej me zgjedhjen e Presidentit. Ai ka hedhur dyshime mbi kohën që është hedhur ky debat, ndërkohë që duhen edhe 4 vite që të mbarojë mandati për presidentin. "Më jepni platformën ku mbështeten këto amendamente! Çfarë është kjo ngutje kur keni dhe 4 vjet afat për procedurën e zgjedhjes së Presidentit? Sepse kërkohet të rrëzohet Presidenti aktual, sepse vjedhjet, Gërdeci, shumë gjëra kërkojnë bunkerë presidencialë. Çfarë është kjo ngutje, apo keni bërë pazare?",- tha ai. Duke qenë ndër firmëtarët e parë që ka mbështetur variantin e zgjedhjes së Presidentit nga Populli, Ngjela pyeti se, pse ka kaq frikë nga Kuvendi që Presidenti të zgjidhet pikërisht nga sovrani. "Pse dridheni nga populli, çfarë është ky Parlament që trembet nga populli i tij! Si mund të hiqet amendamenti kushtetues që i drejtohet popullit! Kushtetuta është kontrata shoqërore e shqiptarëve. Minoranca ka mbrojtjen e konstitucionalizmin",- tha ai. Gjatë fjalës së tij, Ngjela ka hedhur dyshime edhe për nene të tjera të Kushtetues që janë ndryshuar, kur në fakt praktika ka treguar se nuk janë shfaqur problematike asnjëherë, siç është rasti i prekjes së nenit 104 e 105 i Kushtetutës. Dy nenet në fjalë kanë pësuar ndryshime. Për herë të parë është futur një paragraf në Kushtetutë, ku në rast se mocioni i besimit votohet nga më pak se gjysma e të gjithë anëtarëve të Kuvendit, Kryeministri, brenda 48 orësh nga votimi i mocionit, i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit. Ndërsa neni tjetër i ndryshuar, që prek nenin 105 të Kushtetutës, citon se një e pesta e deputeteve ka të drejtë të paraqesë për votim në Kuvend një mocion mosbesimi ndaj Kryeministrit në detyrë, duke propozuar një Kryeministër të ri.

N.P

Lesi-Berishës: Je nën presionin e ministrave të Gërdecit

TIRANË- Deputeti i LDK-së, Nikollë Lesi i është drejtuar dje kryeministrit Sali Berisha teksa ka argumentuar votën e tij kundër zgjedhjes së Presidentit me shumicë të thjeshtë. Lesi ka deklaruar se kreu i ekzekutivit ka mbetur peng i deputetëve dhe ministrave, që, sipas tij, përfaqësojnë afera jo të pastra politike dhe ligjore. "I nderuar Kryeministër, je nën presion! Ju jeni nën presionin e ish-ministrave të Gërdecit e ministrave që do të plasin Gërdecë të tjerë",- tha Lesi. Kryetari i LDK-së ka kërkuar që drejtuesit e partive të djathta që do të votonin kundër paketës, të dilnin nga qeveria e madje edhe nga koalicioni i djathtë. "Të dalin nga koalicioni, madje edhe nga qeveria, sepse është shkelur programi dhe parimet",- tha Lesi. Ai ka shtuar se, kreu i ekzekutivit është si kapiteni i një anijeje, ku anëtarët e ekuipazhit po i fusin ujë. Lesi ka argumentuar edhe votën e tij kundër zgjedhjes së Presidentit në dy raundet e fundit me shumicë të thjeshtë. "Kam firmosur për nenin 87, kam firmosur me një kusht, tek pjesa e parë, që neni për President të votohet nga populli. Kryetari nuk mund të zgjidhet me votim të thjeshtë. Nuk mund të jetë President i Republikës i zgjedhur me votat sa një anëtar bordi",- tha ai.

Negociatat e Berishës me aleatët. Dalja si koalicion dhe zona të sigurta për drejtuesit

Negociatat, si i bindi Berisha aleatët

TIRANË- I rezistuan fort publikisht kryeministrit Berisha, aq sa ndonjërit mund t'i shkonte mendja për "shpërbërje" të maxhorancës qeverisëse. Kërcënimet nuk munguan as me firma dhe as me deklarata publike, deri pak para seancës së mbrëmshme ku kaluan ndryshimet Kushtetuese. E gjitha sa më sipër u qartësua dhe çdo gjë u kthye në pozicionet e mëparshme, në këmbim të një marrëveshjeje që kryeministri Sali Berisha u ofroi mbrëmë pak minuta para fillimit të votimit të paketës kushtetuese. E thënë troç, kryeministri Sali Berisha u garantoi drejtuesve të partive aleate se do të jenë deputetë në Parlamentin e pas zgjedhjeve të 2009-ës. Për herë të parë, ai u ka garantuar atyre se do të dalin si koalicion në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, dhe se krerët e partive të djathta do të jenë në fillim të listës, në qarqe të sigurta. Jo vetëm për krerët, por burimet nga PD folën për të paktën 15 zona të sigurta për aleatët, (modalitetet do vendosen më vonë) aq sa ka mjaftuar që "armët" të ulen dhe shumica e deputetëve të partive të djathta, që votuan kundër zgjedhjes së Presidentit më shumicë të thjeshtë, të tërhiqeshin. Të vetmit deputetë të partive aleate, konkretisht të PR-së, që votuan kundër këtij neni, ishin Arjan Madhi dhe Artur Hasanbelliu. Ndërsa dy firmëtarët e tjerë, kryetari i PDK-së, Nard Ndoka dhe kryetari i PR-së, Fatmir Mediu nuk kanë marrë pjesë gjatë votimit për zgjedhjen e Presidentit me shumicë të thjeshtë. Ndërkohë që kanë ndryshuar qëndrim ndaj paketës në tërësi duke votuar të dy pro paketës kushtetuese. Negociatat e kryeministrit Sali Berisha me drejtuesit e partive aleate mund të thuhen me plot gojën se janë zhvilluar me seanca të ndryshme. Fillimisht kryeministri Berisha i ka mbledhur në zyrën e tij, në Kryeministri, ku parimisht aleatët i premtuan votën pro. Më pas, Berisha ka zhvilluar takime me secilin prej tyre, duke i dhënë fund edhe pretendimeve të këtyre të fundit, në këmbim të zonave të sigurta, dhe që vota e tyre të lexohet drejt në zgjedhjet e ardhshme. Pra, partitë aleate kanë kërkuar nga Berisha edhe garanci për ruajtjen e votave të tyre, gjë që në fakt nuk dihet se sa mund të ndodhë në praktikë. Negociatat e mbrëmshme me partitë aleate i mundësuan Berishës një numër të konsiderueshëm votash pro paketës për ndryshimet kushtetuese, në një kohë që nga grupi parlamentar i PD-së pati rrjedhje prej 7 votash. Edhe kësaj here, partitë aleate e shfrytëzuan votën e tyre në këmbim të një pakti që do t'u mundësojë atyre karrigen në Kuvend, edhe pas zgjedhjeve të 2009-ës.

Nevila Perndoj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›