Topi: Kushtetuta, jo ndërtim informal
Presidenti i Republikës qartësoi qëndrimin e tij, preku pikat e nxehta të paketës kushtetuese
"Ky proces duhet t'i nënshtrohet një dialogu e një konsultimi të gjerë"
TIRANË- Vetëm pak orë para se Kuvendi do të miratonte paketën e ndryshimeve kushtetuese me "bekimin" e dy partive të mëdha në vend, Presidenti i Republikës, Bamir Topi apeloi sërish, teksa mbajti fjalën në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, por edhe gjatë konferencës për shtyp të zhvilluar me homologun e tij kroat, Stjepan Mesiç. Gjatë mbledhjes së KLD-së, presidenti Topi theksoi se reformat nuk duhet të jenë fasadë për të krijuar imazh të rremë tek partnerët ndërkombëtarë, por një proces ku në mënyrë të qartë të shfaqet vendosmëria për të realizuar shtetin e së drejtës. "Kushtetuta, ligji dhe institucionet nuk janë ndërtime informale apo provizore, por janë themeli i Shqipërisë i një shekulli të ri, që u përket dhe do t'u përkasë fëmijëve tanë",- tha ai. Ndërkohë, kreu i shtetit ka qenë më konkret teksa është pyetur nga media, në konferencën e djeshme për shtyp, duke qartësuar në ketë rast edhe pozicionin e tij lidhur me paketën kushtetuese. "Së pari, që është shumë e rëndësishme dhe parimore, Presidenti i Republikës nuk interferon në debatin politik, aq më shumë në debatin parlamentar, por vendimmarrje konsideron vendimmarrjen politike. Sigurisht, Presidenti është garanti institucional dhe i dokumentit themeltar të shtetit, që është Kushtetuta. I vetmi, dhe i vetmi prononcim i Presidentit ka qenë pikërisht me kujdesin që duhet të kenë partitë politike, që në lidhje me prekjen e Kushtetutës ky proces duhet t'i nënshtrohet një dialogu të gjerë, një konsultimi me konstitucionalistë, dhe kjo ndërhyrje konsiderohet shumë principale",- tha Topi. Kreu i shtetit, theksoi se prekja e Kushtetutës nuk ka të bëjë thjesht me çështjen e zgjedhjes së Presidentit. Në këtë kontekst, Topi bëri publike edhe pikat e tjera të nxehta të kësaj pakete. "E kthejmë në vëmendjen tuaj, që të mos fokusoheni vetëm tek kjo pikë, se ka një çështje që është zemra besoj e këtij procesi, që është reforma zgjedhore. Është edhe një çështje tjetër, ajo e mocionit ndaj Kryeministrit. Pra, nisur nga kjo, unë nuk mund të paragjykoj dhe nuk dëshiroj të shprehem në mënyrë absolute se si do të jetë rrjedha e ngjarjeve në Kuvend. Unë i qëndroj konstant interpretimit që ka të bëjë me pozicionin kushtetues të Presidentit të Republikës. Në funksion të reformave mund të dalë e nevojshme që Kushtetuta të preket. Dhe askush nuk besoj që ka qenë kundër përshtatjes së Kushtetutës me nevojën e reformave",- tha Topi. Ai inkurajoi që proceset reformuese të jenë në funksion të shqiptarëve dhe institucioneve të tyre, duke qenë i prirur të besonte që ndërhyrjet të mos jenë për çështje të interesave të vogla.
N.Perndoj
Mesiç siguron se regjimi i vizave do të liberalizohet në kornizat maksimale të mundura
Vizat me Kroacinë, Topi kërkon heqjen e tyre
TIRANË-Vizita dyditore e Presidentit të Kroacisë, Stjepan Mesiç ka shërbyer jo vetëm për intensifikimin e marrëdhënieve mes dy vendeve në nivel politik dhe ekonomik, por edhe për një çështje delikate që lidhet drejtpërsëdrejti me shqiptarët, ajo e regjimit të vizave. Ashtu siç bëri të ditur edhe në konferencën e djeshme për shtyp, Presidenti i Republikës, Bamir Topi i ka kërkuar homologut të tij kroat që të influencojë për të kaluar në një regjim të ri vizash me Shqipërinë. "Është një terminologji regjimi i vizave, çfarë do të thotë pa viza, në mënyrë që të gjithë qytetarët të kenë mundësi të lëvizin në dy vende që janë tradicionalisht miq, por që sot janë më pranë se kurrë në familjen euroatlantike",- tha Topi. Nga ana e tij, Presidenti kroat ka siguruar se do të merren të gjitha masat që regjimi i vizave të liberalizohet në kornizat maksimale të mundura. "Ne kemi biseduar për regjimin e vizave. Deri në vitin 2000 kemi pasur një regjim të rreptë vizash, i cili faktikisht e ka destimuluar qarkullimin e njerëzve dhe të mallrave. Ky regjim vizash ka destimuluar edhe shkëmbimin e mallrave mes dy vendeve. Dhe vetëm njerëzit të cilët e njohin mirë njëri-tjetrin, kanë mundësi që të punojnë mirë me njëri-tjetrin. Tani do të marrim të gjitha masat që edhe më tej regjimi i vizave të liberalizohet në kornizat maksimale të mundura",- tha dje Mesiç. Në të njëjtën kohë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka theksuar se gjatë takimit të zhvilluar me homologun kroat janë vlerësuar marrëdhëniet politike mes Shqipërisë dhe Kroacisë, ndërkohë që nuk kanë ndarë të njëjtin mendim për marrëdhëniet në nivel ekonomik. "Shprehëm dëshirën që këto marrëdhënie të intensifikohen, duke pasur si pikë referimi dhe takimin e Presidentëve të Ballkanit që e kemi zhvilluar në Dubrovnik, në 22 nëntor të vitit të kaluar, ku u nënvizua që rajoni ballkanik ka nevojë për rritjen e investimeve dhe për çështje që kanë interes reciprok",- tha Topi.
n.p