E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha PS-se per amnistine Lereni menjane politiken dilni ne rrafshin njerezor

“Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka urdhëruar votimin kundër amnistisë sepse këtë ia diktoi kupola që ai udhëheq.

Pikërisht se u përjashtuan nga kjo amnisti krerët e SHPK-së në krye të partisë, u adaptua ky qëndrim armiqësor ndaj amnistisë”.

Kështu u shpreh kreu i qeverisë, Sali Berisha në seancën e sotme plenare, lidhur me diskutimin për ligjin e faljes së një pjese të borxhit tatimor e doganor.

“Nuk do të mundet në asnjë rast, në asnjë rrethanë që të amnistohen dy kategori parash: paratë e krijuara duke përdorur politikën dhe paratë e atyre që vijnë nga krimi dhe droga. Këtë harrojeni. Do të mbeteni gjithmonë në vetmi, në rrugën e vetme, në qoftë se ju mendoni se ne do të amnistojmë ndonjëherë këto para. Këto dy origjina parash nuk mund të amnistohen, janë të pa – amnistueshme”, tha ai.

Më tej, ai iu drejtua drejtua deputetëve socialistë duke iu thënë se nuk do përjashtohet kurrë ligji i pronave të mafies.

“Nuk do të përjashtohet kurrë ai ligj, sikundër nuk do të përjashtohet ligji për politikanët. Harrojeni këtë. Unë e kuptoj që ju jeni parti miliarderësh, por unë ju garantoj se paratë tuaja nuk do të amnistohen sa të jetë kjo qeveri në pushtet. Mos e votoni ligjin. Ju mbroni paratë tuaja ndaj nuk e votoni amnistinë”, tha ai.

Sipas tij, janë 120 mijë biznese në Shqipëri të cilat kanë një votë, atë votë e kanë për Shqipërinë, të cilat kanë një qëllim, një kontribut, kontributin për Shqipërinë.

“Ju, për interesat e ngushta të një grupi njerëzish që numërohen me gishtat e dorës në krye të PS-së, rrëzoni një ligj. Nuk mund të ndodhë ndonjëherë që ne të amnistojmë pronat e qeveritarëve e pushtetarëve tuaj, as të tanëve. Por pse po votoni kundër atëherë? Keni hallin e pushtetarëve tanë? Jo. Ju keni hallin se nuk po amnistohen pronat e pushtetarëve tuaj, pronat e ish ministrave tuaj, të qeveritarëve tuaj vendorë, të deputetëve tuaj. Kjo është prova”, iu tha ai më pas atyre.

Në fund, u bëri thirrje që të mos tregohen shpirtkazmë e zemërgur, për arsye politike.

“Lëreni politikën mënjanë, dilni në rrafshin njerëzor, në rrafshin social, votoni këto falje të këtyre kamatave, të këtyre borxheve që këta njerëz në nevojë nuk arritën t’i paguajnë.

Dëgjojeni ish-kryeministrin tuaj, adaptoni njëherë një qëndrim të tij, sepse ju garantoj se vetëm do t’ju paraqesë të njerëzishëm para qytetarëve shqiptarë. Lëreni cinizmin, shpirtkazmërinë, zemërgurtësinë.

Nuk është dita e saj sot. Sot është dita e faljes dhe falja është dhunti e vërtetë e njeriut. Janë 2 mijë dollarë për familje që u falen këtyre shtresave në nevojë. Le t’i falim sot. Bashkohuni me ne në këtë votim”, përfundoi ai.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›