Berisha: Paketa e Ramës, listim kushtesh dhe pazare
Kryeministri Sali Berisha ka lënë të hapur mundësinë e negociimit vetëm për reformën zgjedhore. Për ndryshimet në rregullore, Berisha është shprehur i gatshëm që të krahasohet me nenet e Parlamentit Europian. Lidhur me pikat e tjera, Berisha tha se nuk mund të merret me letra për Ina Ramën apo hetimin e Wikiliksit. Për zgjedhjen e krerëve të institucioneve, Kryeministri u përgjigj se për këto çështje ka ligj dhe Kushtetutë.
Cili është komenti juaj për paketën e propozimeve të z.Rama?
Kemi përballë një paketë që ka brenda letrën dërguar Prokurorisë. Zoti Rama ka një dhunti shumë të veçantë, që ta perceptojë këtë realitet në mënyrën më të pa imagjinueshme. Nuk mund të imagjinojë askush në botën e lirë që t’u kërkohet të gjithë deputetëve t’i bëjnë letër Prokurores së Përgjithshme. Duhet të kesh një pasion të çmendur për të dërguar letra e t’i kërkosh trupës legjislative të vendit që t’i firmosë letër një pushteti që është tërësisht i pavarur prej tyre. Në një vend të lirë kjo nuk mund të imagjinohet kurrë. Të paraqesësh paketë pakti kombëtar letrën drejtuar Prokurores së Përgjithshme, kjo do të thotë të lesh pa gojë të gjithë ata që të dëgjojnë... Lidhur me Wikiliksin, të garantoj që Edi Rama është i vetmi politikan i botës që kërkon hetimin e Wikiliksit. Të ngrihesh e të thuash të hetohet Wikiliks, bëhesh i vetmi në botë. Pse e kërkon Rama hetimin e tij? Edi Rama kërkon hetimin e Wikiliksit, sepse ka një kabllogram të pabotuar, të tmerrshëm, dhe zoti Rama ka frikë se mos e përdorim. Ka një kabllogram të tmerrshëm për Partinë Socialiste dhe zoti Rama ka frikë se Sali Berisha do e përdorë, por Sali Berisha nuk e përdor atë. Unë jam kategorikisht kundër publikimit të çdo dokumenti të saj.
Çfarë përmban ky kabllogram?
Zoti Rama e di më mirë përmbajtjen e këtij kabllogrami. Edi Rama i përmbahet parimit që, për të fshehur gjënë e vjedhur, duhet ta vesh në vendin më të dukshëm. Dhe ky bërtet tani Wikiliks, Wikiliks, duke menduar se nesër do i dalë kabllogrami i tmerrshëm. Për Wikiliksin, z.Rama të krijojë një komision hetimi në partinë e tij dhe me atë kabllogram të tmerrshëm, po të dojë, le të merret dy vjet me të.
Lidhur me reformën zgjedhore dhe rregulloren e Kuvendit...
I them zotit Rama që jam plotësisht dakord për reformën zgjedhore. Data 8 maj ka shënuar një moment të ri në reformën zgjedhore. Sot kemi 52 rekomandime që përfshijnë zgjedhjet lokale dhe të përgjithshme dhe tani panorama është e plotë. Tani nuk na mbetet gjë tjetër vetëm të ulemi me Partinë Socialiste dhe të tjerat dhe të adresojmë një për një këto rekomandime. Nëse Rama do të ulet në një komision elektoral me praninë e mazhorancës, Komisionit të Venecias, OSBE/ODIHR-it, t’i trajtojë dhe unë jam i gatshëm që ta mbyllim që në janar reformën zgjedhore.
Po për rregulloren e Parlamentit?
Unë i them Po për rregulloren e Parlamentit. Rikthimet mbrapa unë nuk i pëlqej, por çfarë garantoj unë zotin Rama. Propozimi im është që të urdhërojë, ne kemi një delegacion në PE, le të ngarkojë dy nga PS e dy nga PD, të marrin rregulloren e Parlamentit Europian dhe unë e garantoj atë që çdo gjë që nuk përputhet nga rregullorja jonë me atë të PE-së unë do ta votoj pa asnjë hezitim.
Përpos reformës parlamentare dhe reformës zgjedhore, janë propozime për krerët e institucioneve të pavarura, ka një eksperiencë pas viteve 2000, që mazhoranca të kenë ndarë konsensus me opozitën... Nuk është normale që një opozitë të kërkojë kontroll dhe ndarje pushteti, pavarësisht dyshimeve që ajo ka krijuar?
....Marrëveshja kryesore mes qeverisë dhe opozitës është Kushtetuta. Është marrëveshja bazë. Duke thënë këtë a përjashtojnë ata një diskutim për çdo gjë me opozitën? Absolutisht nuk e përjashtojnë. Por a nënkuptojnë ata ultimatume dhe kushte që përcakton z.Rama, ajo pastaj është e tëra në kundërshtim me rregullat më elementare të demokracisë. Kur një pakicë kërkon t’i diktojë shumicës legjitime të vendit, ajo nuk është tjetër vetëm një tirani në minorancë, e cila në çdo rast dëshmon se çfarë është e gatshme që të bëjë. Çfarë interesi ka një opozitë që të hapë një treg për funksione dhe poste, që ligji dhe Kushtetuta ia kanë dhënë shumicës. Një opozitë ka të drejtë të kërkojë kritere, standarde, por një opozitë nuk ka të drejtë kurrë që të bëjë pazare, të thotë që do to votojë ligjin për Gjykatën Administrative në qoftë se ti do të më japësh mua këtë apo atë.
Kërkojnë në mënyrë konsensuale...
Ja nuk u arrit konsensusi, si do t’ia bëjmë? A do shkojmë te ligji dhe Kushtetuta? Pra, është ai listim që ai ka bërë aty nuk është gjë tjetër veçse një seri kushtesh për të bllokuar më tej procesin e integrimit të vendit.
Përmendët Kushtetutën, edhe ndryshimet në Kushtetutë janë bërë në një kohë të shpejtë dhe në një marrëveshje të diskutueshme. A nuk është koha për të filluar një debat edhe për ndryshimet kushtetuese?
Le të dalë një njeri dhe të japë argumentin më të vogël kushtetues ndaj neneve të saj. Çfarë ndryshuam ne përveç KQZ-së, që e kemi ndryshuar bashkë me të. Unë ndiej keqardhje që Rama pendohet edhe për ndonjë propozim të arsyeshëm që ka bërë vetë ai. Ne i hoqëm vendit krizën e zgjedhjes së Presidentit, siç ndodhi në Greqi... Kjo është e parikthyeshme më. Kam bindjen e thellë se i bëmë një shërbim real këtij vendi, nga një Kushtetutë që revokonte kriza në një Kushtetutë që i ka shmangur këto kriza...
Kë pranoni ju nga këto pika?
Ato kanë vetëm një qëllim, një seri kushtesh ultimative për të bllokuar procesin e integrimit...
I keni në tryezën tuaj këto pika, ç’do bëni më këto?
Jo, unë nuk mund të kem në tryezën time hetimin e Wikiliksit apo letrën e Ina Ramës.
Do t’i merrni në shqyrtim, do të jepni një përgjigje zyrtare?
Përgjigjja ime është kjo: Opozita ka të drejtë morale dhe ligjore për reformën zgjedhore, sepse pushteti që buron nga zgjedhjet dhe jo nga tavolinat duhet te jetë qëndrimi i saj kryesor. Opozita pretendon se është bërë një batërdi në rregulloren e Parlamentit. Nuk pranoj të kthehem prapë, sepse unë mund të them se rregullorja e ‘95-ës ka qenë më e mirë se kjo që është sot, por as kam ndërmend që ta shtroj një gjë të tillë. Pranoj çdo përmirësim, çdo dallim që kjo rregullore ka me rregulloren me demokratike që është e PE-së, që nesër.
Dy pikave i keni kthyer. Po pikat e tjera?
Nuk ka pika të tjera... ka kushte...
Vullnetet politike nuk e kanë pasur këtë gjë. E keni ndryshuar ju zoti Berisha apo ka ndryshuar Shqipëria, sepse nuk kanë munguar vullnetet politike në momentin që është bllokuar dialogu që të gjejnë një zgjidhje...
Kam qenë 8 vjet në opozitë. Lë të dalë një shqiptar të thotë se ti Sali Berisha kërkove gjatë tetë viteve në opozitë të marrësh këtë post apo atë post që i takonte mazhorancës. Le të dalë një shqiptar i vetëm dhe të thotë që gjatë tetë viteve në opozitë ti solle amendamente, qoftë edhe një të vetme, për ndryshimin e Kushtetutës...
Kjo është pazar zoti Berisha...
Është vetëm pazar.. çfarë është ai... si nuk qenka pazar letra e Ina Ramës, si nuk qenka pazar hetimi i Wikiliksit, si nuk qenka pazar bëj këtë, ti bëj atë? T’i bëjmë konsensual. Çdo të thotë konsensual? Do të thotë ose të mitë ose t’i bllokoj. Çfarë thotë Kushtetuta për zgjedhjen e tyre, atë që thotë Kushtetuta atë do të zbatojmë...
Që ka një problem me institucionet ka...
Por nuk thuhet me letër, nuk zgjidhet me letër.
Si zgjidhet kjo?
Kjo zgjidhet me një reformë të institucionit. Nuk zgjidhet duke e shndërruar Prokurorinë në një shtojcë të PS-së...
Përgjigjja e Berishës për hetimin e Wikiliks
Zoti Rama e di më mirë përmbajtjen e këtij kabllogrami. Edi Rama i përmbahet parimit që, për të fshehur gjënë e vjedhur, duhet ta vesh në vendin më të dukshëm. Dhe ky bërtet tani Wikiliks, Wikiliks, duke menduar se nesër do i dalë kabllogrami i tmerrshëm. Për Wikiliksin, z.Rama të krijojë një komision hetimi në partinë e tij dhe me atë kabllogram të tmerrshëm, po të dojë, le të merret dy vjet me të.