Vdes një në aksident, tre në gjendje të rëndë
KRUJË Një i vdekur dhe tre të plagosur është bilanci i një aksidenti që ka ndodhur dje në orën 23.45 minuta në aksin rrugor Tiranë–Fushë-Krujë. Aksidenti ka ndodhur në fshatin Tapizë të rrethit të Krujës, ndërsa një autoveturë tip BMV X 5 me targa të huaja, është përplasur me një benz në mesin e urës së Tapizës. Sipas burimeve zyrtare të policisë së Krujës, mësohet se mjeti tip “fuoristrade” ka rënë nga ura e Tapizës dhe ka përfunduar në betonin e këmbës së urës dhe të një të çare me shtratin e lumit Tërkuz. Për pasojë, ka gjetur vdekjen e menjëhershme shoferi Astrit Laçi, 32 vjeç, nga fshati Derven i Krujës, si dhe janë plagosur tre personat që ndodheshin me të. Sipas ekspertëve, shkak i aksidentit është bërë shpejtësia e madhe e drejtimit të mjetit, si dhe tentativa e gabuar për parakalim e tij mbi urë, pasi hetimet kanë treguar se viktima, që ka qenë edhe drejtuesi i fuoristradës, po dërgonte në spitalin në Tiranë një të afërme të tij në gjendje të rëndë shëndetësore. Kanë qenë banorë të zonës që kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nxjerrë tre të plagosurit nga automjeti, ndërsa ka qenë e pamundur nxjerrja e 32-vjeçarit Laçi. Policia rrugore ka mbërritur pak minuta pas aksidentit në vendin e ngjarjes dhe ka nisur edhe hetimet mbi shkaqet e aksidentit.