OSBE, Wollfarth: Pakti “Rama” përfshin propozime të dobishme
TIRANË Ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth, konsideron të nevojshme miratimin e një rregulloreje konsensuale për Kuvendin. Në një intervistë për “TCH”, Ëollfarth ka deklaruar se rregullorja është e një rëndësie kyçe, që një parlament të funksionojë. “Një parlament duhet të funksionojnë në mënyrë profesionale dhe sigurisht që rregullorja është e një rëndësie kyçe në këtë aspekt. Siç thashë edhe më herët, është çështje vullneti dhe pasja e një rregulloreje, që siguron kushte të barabarta për qeverinë nga njëra anë dhe për opozitën nga ana tjetër përbën një ndër parakushtet për të pasur mundësinë për të punuar siç duhet në parlament. Në shumë vende, për të mos thënë në të gjitha vendet, në të gjitha parlamentet apo Kuvendet, në Bundestagun gjerman, apo në Parlamentin Evropian, rregulloret zakonisht janë konsensuale. Në Shqipëri, mendoj se ka ardhur koha për t'iu rikthyer një rregulloreje konsensuale, por sigurisht që duhet sqaruar nëse është më mirë të fillohet nga rregullorja e vjetër e 2005-ës, apo nëse duhen shtuar elemente të tjera. Sidoqoftë, rregullorja është sigurisht thelbësore”, - tha dje Wollfarth. Ambasadori i OSBE-së ka shtuar se për çështjet e propozuara duhet të ketë konsensus mes palëve. “...Siç thashë, duhet të jetë konsensuale. Është një propozim i rëndësishëm, ka funksionuar në të kaluarën dhe ia vlen të provohet, qoftë duke filluar nga rregullorja e 2005-ës, nëse palët do të binin dakord, nëse është konsensuale, ky do të përbënte një fillim të mirë, por u takon sigurisht partnerëve, dhe qëllimisht them 'partnerëve', të të dyja krahëve”,- tha ai. I pyetur konkretisht se cili ishte komenti i tij për 10 propozimet e bëra nga Rama të përfshira në Paktin Kombëtar të Integrimit, Wollfarth u përgjigj: Është një titull interesant dhe përfshin propozime sigurisht shumë të dobishme. Ndoshta mund të mos kufizohet vetëm në dhjetë, pasi ka ende punë për t'u bërë, por dy elemente janë patjetër të rëndësishëm. Njëri ka të bëjë me Rregulloren e Parlamentit, kurse tjetri, të cilin e kemi parë tashmë se sa i rëndësishëm është këtë vit, është pikërisht Kodi Zgjedhor. Pra, qoftë edhe në këto dy elemente, duket qartë se ka përmbajtje në këto propozime, por kuptohet që gjithçka duhet diskutuar mes partnerësh brenda partive, por edhe midis vetë partive, dhe vendi më i mirë për këtë është sigurisht Parlamenti, dhe aty sigurisht që Rregullorja ka rëndësi kyçe për t'iu kthyer një sjelljeje vërtet evropiane dhe demokratike. Kjo besoj se mund të çojë vetëm në sukses, gjithmonë nëse ekziston vullneti politik për ta çuar kombin përpara”.