Berisha: Pas bojkotit qëndrojnë qëllimet mafioze të Ramës
Zgjedhjet e 28 qershorit konsiderohen prej Kryeministrit Sali Berisha si arritja më e madhe në karrierën e tij politike 19-vjeçare. Zgjedhje të lira dhe të barabarta si asnjëherë më parë në historinë e pluralizmit shqiptar, të certifikuara nga ndërkombëtarët dhe të firmosura edhe nga 20 mijë komisionerët e PS-së. Këto argumente i shërbyen dje kreut të qeverisë, Sali Berisha, për të njoftuar anëtarësinë e PD-së së Lezhës se pas bojkotit të PS-së qëndrojnë qëllimet mafioze të kryesocialistit Edi Rama. Në kushte të tilla, Berisha i bëri atij thirrje që të mos guxojë të prekë institucionet e shtetit dhe të tërhiqet nga ultimatume kërcënuese në dëm të interesave të shqiptarëve, në të kundërt do të veprojë ligji. Në kuvendin e Partisë Demokratike të Lezhës Kryeministri solli në vëmendje kryeargumentin e debatit politik në vend, zgjedhjet parlamentare të 28 qershorit. Z. Berisha pohoi se standardet e tyre përbënin angazhimin kryesor të forcës politike që drejton, një angazhim që, siç tha Kryeministri, daton hershëm prej kohës kur në Shqipëri u rrëzua diktatura komuniste. “Arritja më e madhe në karrierën time janë, pa dyshim, këto zgjedhje. Ne ia dolëm të votonim me dinjitetin më të madh. Tani, ne u lëmë shqiptarëve një trashëgimi të shkëlqyer”, - bëri të ditur z. Berisha. Kryeministri akuzoi Ramën për përpjekje të vazhdueshme për të mos futur Partinë Socialiste në zgjedhje. Ai solli në vëmendje zgjedhjet lokale të vitit 2007. “Shtyrja e tyre, - bëri të ditur Berisha, - ishte frut i përpjekjeve të Ramës për t’i bojkotuar”. Kryeministri bëri një argumentim të gjatë të përpjekjeve të mazhorancës që drejton për të garantuar futjen e opozitës në zgjedhjet e përgjithshme të qershorit 2009. Bashkë me këtë po aq rëndësi mazhoranca u kushtoi standardeve të procesit, që, siç tha Kryeministri, morën vlerësimin më të lartë ndërkombëtar. Kryeministri deklaroi edhe nga Lezha se pas bojkotit të Kuvendit qëndrojnë qëllimet mafioze të kryetarit të Partisë Socialiste. Në Lezhë Kryeministri përfitoi nga rasti të ftonte qytetarët me bindje të djathta e të majta politike të festojnë së bashku 8 Dhjetorin, ditën që shënon rënien e diktaturës komuniste në Shqipëri. Para anëtarësisë së PD-së së Lezhës Kryeministri Sali Berisha vlerësoi se standardet në zgjedhje janë trashëgimia që po u lihet shqiptarëve. “Ne ia dolëm të votonim me dinjitetin më të madh të kohës së sotme. Kjo është trashëgimia më e shkëlqyer që u lëmë shqiptarëve. Ne duhet të jemi krenare për këtë. Zgjedhjet e 28 qershorit janë arritja më e madhe në karrierën time”, - theksoi z. Berisha. Sipas tij, arrije është dhe fakti që zgjedhjet i firmosi edhe opozita me komisionerët e vet. “Ne, - pohoi ai, - duhet të jemi fatlumë, se zgjedhjet tona për herë të parë i ka firmosur opozita, me 20 mijë komisionerët e vet socialistë të ndershëm, prandaj janë zgjedhjet më të bekuara”. Mosnjohja që PS-ja po u bën zgjedhjeve, duke shkaktuar kështu edhe bllokimin e punës në Kuvend, për Kryeministrin, nuk përbën asnjë problem. Duke iu drejtuar në distancë kreut të socialistëve, Edi Rama, kreu i qeverisë, Berisha, deklaroi se mosnjohja e zgjedhjeve vjen nga mendësia e diktatorit Enver Hoxha dhe se kjo vetëm sa e nderon Kryeministrin në detyrë. “Të them dy fjalë zoti Rama, mosnjohja e zgjedhjeve nga ti vetëm na nderon. Kurrë mos i njih! Ti ke lustruar bustet e Enverit tërë fëmijërinë tënde, e ke të rrënjosur, kjo është mendësia e bllokmenit, kurse frymëzimi që e shtyn, është mafia”, - tha mes të tjerash Berisha.