E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vendimi i BE-së, MPJ: Sinjal pozitiv për Shqipërinë



Vendimi i Bashkimit Evropian për të liberalizuar vizat me tri shtete ballkanike, dy prej të cilave fqinje me ne, u vlerësua mbrëmë nga Ministria jonë e Punëve të Jashtme, duke e quajtur si sinjal pozitiv edhe për Shqipërinë. Përmes zëdhënësit Ralf Gjoni, MPJ përshëndeti miratimin nga ana e Këshillit të Ministrave të Brendshëm të BE-së të propozimit të Komisionit për heqjen e vizave Shengen me Maqedoninë, Malin e Zi dhe Serbinë. “Sigurisht që ky është një sinjal shumë pozitiv për të gjithë Ballkanin Perëndimor si dhe për objektivat tona të përbashkëta integruese në BE”, - tha Gjoni. Ai shtoi: “Kam besim se shumë shpejt do të kemi një propozim nga Komisioni për Shqipërinë, duke pasur parasysh se ecuria e përmbushjes së kritereve nga ana jonë është optimale”. “Le të mos harrojmë, - vijoi Gjoni, - pikënisjen e Shqipërisë në raport me fqinjët e saj të ish-Jugosllavisë dhe të shohim qartë progresin konkret që është bërë në vendin tonë përgjatë viteve”. Ndërsa duke përfunduar, Gjoni siguroi: “Ne po punojmë fort si brenda, ashtu edhe jashtë vendit, që brenda vitit 2010 t’u mundësojmë qytetarëve shqiptarë lëvizjen pa viza në hapësirën Shengen”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›