Rama shmang sekretarët e zgjedhur të partisë
Kreu i PS-së, Edi Rama, ka treguar shpesh se zhgënjehet nga zgjedhjet e tij. Kështu ka ndodhur dhe me sekretariatin e partisë, poste ku u vunë njerëzit e tij më të besuar, por që pas pak vitesh nuk rezultojnë më të tillë. Disa nga sekretarët janë krejtësisht jofunksionalë, ndërsa të tjerët Rama i zëvendëson me njerëz të emëruar nga vetë ai. Ai preferon të punojë me sekretarë paralelë, duke mos njohur ata të zgjedhurit nga Asambleja, ashtu siç bëri me forumet qytetare në zgjedhje duke lënë jashtë loje strukturat e partisë. Rasti më flagrant është shmangia e sekretares për marrëdhëniet ndërkombëtare, Arta Dade, e cila prej shumë kohësh po zëvendësohet nga deputeti i ri Ditmir Bushati. Dade vazhdon të gëzojë privilegjet e kësaj detyre të rëndësishme partiake vetëm në udhëtimet jashtë vendit, ku sigurisht, ata që organizojnë takimet apo konferencat ndërkombëtare, njohin postet zyrtare dhe jo njerëzit e preferuar të kryetarit të partisë. Në shumë takime me përfaqësues ndërkombëtarë Edi Rama ka zgjedhur Bushatin në krah të tij për të pritur përfaqësuesit e ambasadave apo organizmave të huaja duke lënë krejtësisht në hije Daden. Kështu, në takimin e fundit me drejtorin për Ballkanin Perëndimor në Komisionin Evropian, Pierre Mirel, apo disa javë më parë me përfaqësuesin e konferencës së autoriteteve vendore ose në takimet me ambasadorë të rëndësishëm etj. në të gjitha këto takime, ku natyrisht kryetarin e partisë e shoqëron si rregull sekretari përkatës që përgjigjet për marrëdhëniet ndërkombëtare, në krah të Ramës ka qenë Ditmir Bushati, i cili erdhi në PS në prag të zgjedhjeve e ndërkaq vazhdon të drejtojë një OJQ që merret me çështjet evropiane. E gjitha kjo ndodh në një kohë kur Rama nuk ka asnjë konflikt politik me zonjën Dade, përkundrazi, kjo e fundit edhe dje doli publikisht në mbrojtje të tij ndaj akuzave të ngritura nga mazhoranca.
Si mund të imagjinohet që të kenë hapësira në PS sekretarët e tjerë të cilët janë dhe kundërshtarë të Ramës në parti? Bëhet fjalë këtu për Kastriot Islamin, sekretar për çështjet zgjedhore, apo Andis Harasani që përgjigjet për programin e partisë, të cilët janë shmangur nga detyrat e tyre dhe kur nuk kishin dalë akoma hapur kundër ndaj Ramës dhe jo më tani, që zyrat e tyre në PS përdoren nga stafi i Ramës. Harasani, megjithëse sekretar për programin, nuk arriti dot të shihte me sy programin politik të partisë, të cilin Rama tha se ishte 1 mijë faqe, por që kurrë nuk doli në publik. Ndërsa Islami, i cili punoi për hartimin e Kodit Zgjedhor si një nga ekspertët më të mirë që ka PS për këtë çështje, pas 28 qershorit u “kryqëzua” nga Rama si heretik, duke u fajësuar madje dhe për humbjen e partisë në zgjedhje. Blendi Klosi, sekretar organizativ, vazhdon të ruajë pozitat e tij pranë Ramës, megjithëse me porositë organizative ai preferon të ngarkojë të tjerë besnikë të tij dhe në fakt njeriu që merret me organizimin në PS është vetëm Gramoz Ruçi. Fatmir Xhafa, sekretar për koordinimin dhe çështjet ligjore, është një nga njerëzit më të besuar të Ramës aktualisht dhe merret me të gjitha punët ligjore në parti. Edlira Haxhiymeri, sekretare për shoqërinë civile dhe shanset e barabarta, nuk e ushtron pothuajse fare këtë detyrë, ndërsa disa gra të tjera në PS që s’kanë asnjë funksion, por që janë pranë Ramës, marrin përsipër të flasin kur bëhet fjalë për gruan apo çështje të tjera që i përkasin shoqërisë. Gjithashtu, jofunksional është dhe sekretari i burimeve njerëzore, Ethem Ruka, kurse Besnik Bare, sekretar për çështjet e mjedisit, në fakt vetëm me mjedisin që nuk merret, por kryen telefonatat për deputetët në raste mbledhjeje ose i shërben Ramës në punët e partisë në degën e Tiranës, ku është dhe kryetar.
Andis Harasani, sekretar për programin politik
Arta Dade, sekretare për marrëdhëniet ndërkombëtare
Blendi Klosi, sekretar organizativ
Edlira Haxhiymeri, sekretare për shoqërinë civile dhe shanset e barabarta
Ethem Ruka, sekretar i burimeve njerëzore
Fatmir Xhafa, sekretar për koordinimin dhe çështjet ligjore
Kastriot Islami, sekretar për çështjet zgjedhore
Besnik Bare, sekretar për çështjet e mjedisit